S’ka kundërshtarë të lehtë!

  • 23 July 2016 - 11:35
S’ka kundërshtarë të lehtë!

Ekipet kosovare i mësojnë emrat e rivalëve të tyre në FIBA Europe Cup

Shorti i hedhur dje në Munih të Gjermanisë i ka vendosur klubet kosovare në Konferencën 2, ku Peja do të garojë në Grupin G së bashku me Gazientep Basketbol, humbësin e QR1 4 -AEK/Cluj dhe Usak-AEK/Cluj, kurse Sigal Prishtina është në Grupin H së bashku me Einesy Krasnoyarsk, fituesin e Demir Insaat-BC Mures, humbësin e QR1 1-Rilski/Tsmoki

Nis të bëhet nxehtë për basketbollin kosovar në nivel të klubeve

Sigal Prishtina dhe Peja të premten i kanë mësuar kundërshtarët e tyre në FIBA Europe Cup. Për bardhekaltrit ky është viti i dytë radhazi që marrin pjesë në këtë garë, ndërsa për pejanët kjo do të jetë hera e parë që do të jenë pjesë e një gare të nivelit të lartë, siç është FIBA Europe Cup. Shorti i hedhur dje në Munih të Gjermanisë i ka vendosur klubet kosovare në Konferencën 2, ku Peja do të garojë në Grupin G së bashku me ekipin turk Gazientep Basketbol, humbësi i QR1 4 -AEK/Cluj dhe Usak-AEK/Cluj, kurse Sigal Prishtina është në Grupin H së bashku me Einesy Krasnoyarsk, fituesi i Demir Insaat-BC Mures, humbësi i QR1 1-Rilski/Tsmoki. Në fakt, skuadrat kosovare duhet të presin ende emrat e disa kundërshtarëve të tyre, pasi rivalët e tyre do të luftojnë që të luajnë në Ligën e Kampionëve të basketbollit, ndërsa në rast se humbasin, atëherë do të garojnë në FIBA Europe Cup, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Një hap më të madh se sa në edicionin debutues

Sigal Prishtina edicionin e kaluar nuk ka mundur ta kalojë fazën e grupeve në FIBA Europe Cup dhe sigurisht se këtë edicion synon ta bëjë një hap përpara, duke marrë parasysh faktin se kjo skuadër çdo vit i rrit apetitet e saj. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Florian Miftari. “Nuk ka grupe të lehta në FIBA Europe Cup dhe kjo u dëshmua në edicionin e parë, kur ne garuam. Megjithatë, ne do të bëjmë përpjekje të organizohemi sa më mirë që të mundemi, në mënyrë që të bëjmë një hap më të madh se në  vitin debutues. Është herët të flasim për kundërshtarët, pasi një gjë të tillë do ta bëjmë kur do të kompletohet i tërë grupi, por është më se e qartë se të gjitha ekipet janë shumë të forta”, është shprehur Miftari. Ai më pas ka folur edhe për përgatitjet e skuadrës për edicionin e ri: “Në fillim të javës së ardhshme do ta zbulojmë emrin e trajnerit, ndërsa në mes të muajit gusht do të fillojmë përgatitjet e përbashkëta të ekipit. Na pret punë e madhe të gjithëve në klub, por ne jemi të vendosur që të bëjmë më të mirën për qytetin, tifozët dhe për sportin kosovar në përgjithësi”.

Duhet ndërhyrje në infrastrukturë

Ndërkohë, për Pejën ky është edicioni i parë që do të garojë në FIBA Europe Cup, ndërsa kryetari i këtij klubi, Art Gashi ka thënë se i pret një sfidë e madhe. “Në aspektin sportiv, besoj se do t’ia dalim me sukses të organizohemi, por ne kemi nevojë të kompletohemi edhe në aspektin e infrastrukturës, pasi palestra në Pejë ka nevojë për disa ndërhyrje që janë më se të nevojshme me rregulla të FIBA-s. Ne po besojmë shumë se institucionet, si lokale ashtu edhe ato qendrore, do të na ndihmojnë për t’u përgatitur sa më mirë në këtë aspekt”, ka deklaruar Gashi. Duhet theksuar se Sigal Prishtina dhe Peja tash e disa vjet bëjnë gara në Ligën Ballkanike (BIBL), derisa ekipi bardhekaltër është kampion i dyfishtë i kësaj gare. Prishtina e ka përmbyllur edicionin me tre tituj, pasi e ka fituar titullin, kupën dhe trofeun e BIBL-it, kurse Peja është dashur të kënaqet vetëm më trofeun e Superkupës. 

(Kosova Sot)