Isinbayeva paralajmëron largimin nga atletika

  • 23 July 2016 - 12:28
Isinbayeva paralajmëron largimin nga atletika

Përjashtimi i atletikës ruse nga Olimpiada “Rio 2016” është pa dyshim lajmi më i bujshëm në prag të evenimentit madhor, që starton në fillim të muajit gusht. Një humbje e madhe për të gjithë sportin botëror, sepse kurikulumi i Rusisë në këtë sport është një nga më të pasurit e historisë së atletikës dhe në këtë aspekt, edhe aktualisht, të shumtë janë emrat e mëdhenj që preken nga ky vendim që për dikë konsiderohet absurd.

Një prej tyre është edhe rekordmenia e hedhjes së larti, Yelena Isinbayeva, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

“Nëse nuk më lejojnë të marr pjesë në Olimpiadë nuk e shikoj të arsyeshme të stërvitem dhe karriera ime mbyllet këtu”, ka theksuar atletja pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS). “Shpresoj që të fitoj medaljen e artë me një rekord të ri botëror 5 metra e 10 centimetra”, ka shtuar Isinbayeva, që ashtu si 67 atletë të tjerë rusë do ta ndjekë Olimpiadën nga shtëpia pas skandalit të dopingut që përfshiu atletikën ruse.

Në lidhje me këtë temë, rekordmeni botëror i 100 dhe 200 metrave, Usain Bolt, ka një mendim të qartë. Xhamajkani nuk zgjedh diplomacinë për të komentuar vendimin e CAS-it: “Është një moment shumë i trishtueshëm dhe nuk kam shumë për të shtuar por rregullat duhet të respektohen nga të gjithë. Nëse ka prova që je fajtor, pasojat janë të paevitueshme sepse kush gabon duhet të paguajë. Sporti duhet të jetë i pastër, por unë jam i përqendruar te objektivat e mia dhe kjo është një temë që nuk më takon”.

Në fund, ai bëri një koment edhe për dopingun dhe hijet e dyshimit që përherë janë hedhur ndaj atletëve të mëdhenj si ai, duke theksuar se nuk ka asgjë për të fshehur pasi është testuar në vazhdimësi dhe përherë ka rezultuar i pastër.

(Kosova Sot)