Mancini në pikëpyetje tek Inter-i

  • 25 July 2016 - 08:58
Mancini në pikëpyetje tek Inter-i

Eardhmja e Roberto Mancini-t tek Inter-i mbetet ende e paqartë. Takimi i organizuar së fundmi mes presidentit të Inter-it, Erick Thohir, dhe trajnerit italian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka shërbyer për të rikthyer qetësinë në shtëpinë zikaltër.

Në Portland aty ku Inter-i është zhvendosur prej disa ditësh për të vazhduar fazën përgatitore ka pasur një bisedë kokë më kokë mes magnatit indonezian dhe trajnerit Mancini, por ky takim nuk ka sjellë asgjë të re. Situata tek Inter-i vazhdon të mbetet delikate dhe tashmë pritet takimi që do të ketë trajneri Mancini me pronarët e rinj të klubit, grupin kinez Suning.

Mancini priste që nga ballafaqimi me presidentin të arrinte një marrëveshje të re për rinovimin e kontratës aktuale, e cila i skadon në verën e vitit 2017, por Thohir nuk i ka siguruar asgjë trajnerit, duke ia bërë të qartë se në bazë të rezultateve që do të arrijë skuadra deri në muajin dhjetor, do të kuptohet edhe nëse 51- vjeçari do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e Inter-it ose jo. Për të zhbllokuar ndoshta situatën pritet mbërritja në Amerikë e drejtuesve të rinj të klubit në krye me magnatin kinez të elektronikës Zhang Jindong. Për të vazhduar aventurën e tij tek Inter-i Mancini kërkon siguri, por në të njëjtën kohë edhe përforcime në afatin kalimtar. 

(Kosova Sot)