Rusia nuk përjashtohet nga Olimpiada e Rios

  • 25 July 2016 - 08:59
Rusia nuk përjashtohet nga Olimpiada e Rios

Duhet bërë dallimi mes përgjegjësisë kolektive dhe asaj individuale.

"Jemi udhëhequr nga parimi i Kartës Olimpike që mbron atletët e pastër dhe integritetin. Duhet të bëjmë dallimin mes përgjegjësisë kolektive dhe asaj individuale", ka deklaruar presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach .

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) mori më në fund vendimin: Rusia nuk do të përjashtohet nga Lojërat Olimpike të Rios. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv me KON-in që bëri të ditur se në bazë të indikacioneve të tij do të jenë vetë Federatat e Veçanta Ndërkombëtare për çdo disiplinë ato që do të vendosin nëse sportistët rusë do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që janë në program në Rio nga 5 deri në 21 gusht.

KON-i vendos kritere për rusët Të enjten e kaluar, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë hodhi poshtë apelin e 68 atletëve rusë që kishin kërkuar të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike pavarësisht se ishin pezulluar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) pas skandalit të dopingut që shpërtheu nëntorin e kaluar. Një ditë më parë Komiteti Olimpik Rus kishte prezantuar një skuadër me 387 sportistë të 30 disiplinave të ndryshme sportive të zgjedhur për takimin më të rëndë- sishëm sportiv të vitit. "Jemi udhëhequr nga parimi i Kartës Olimpike që mbron atletët e pastër dhe integritetin", ka deklaruar presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach duke shtuar: "Duhet të bëjmë dallimin mes përgjegjësisë kolektive dhe asaj individuale". Rusia kështu nuk është përjashtuar në bllok por do të jenë vetë Federatat Ndërkombëtare ato që do të vendosin nëse do të lejojnë garimin e atletëve. Këto janë kriteret ku ato do të bazohen sipas relacionit përfundimtar të KON-it: "Federatat e veçanta Ndërkombëtare duhet të marrin informacionet e raportit të WADA-s, (Agjencisë Botërore të Antidopingut) dhe asnjë atlet, trajner apo drejtues nuk mund të jetë në Rio nëse rezulton në çfarëdolloj mënyre i implikuar në çështjen e manipulimit të provave të testeve antidopingut. KON-i nuk do të pranojë as atletët që janë dënuar tashmë për doping dhe që e kanë shlyer pezullimin. Për këtë arsye nuk mund të jetë në pistë Yulia Stepanova, atletja ruse që nxori në dritë skandalin e sistemit rus. Deri më sot mendohej se ajo mund të garonte me flamurin Olimpik por Komiteti i Etikës vendosi të mos i lejojë të jetë në shtigjet e Brazilit pasi ka rezultuar pozitive në 2013. Atletët rusë që do të pranohen nga KON-i janë të detyruar ti nënshtrohen edhe një testi tjetër antidopingu jashtë garës, i cili do të koordinohet nga një komision i pavarur i WADA-s". Rio mahnit me përgatitjet Pak ditë nga fillimi zyrtar i Lojërave Olimpike të kësaj vere në Brazil, Riode- Zhanejro ka ofruar pamje spektakolare të ambienteve dhe infrastrukturës për evenimentin që do të mbledhë sportistët elitarë të të gjithë globit. Pas muajsh të tërë shtyrjesh të punimeve, grevave, e një mijë e një problemeve, Fshati Olimpik duket se është tashmë gati për të pritur qindra atletë.

Projekti i implementuar në Rio ka fshatin olimpik më të madh në histori, me 31 ndërtesa dhe më shumë se 3.600 apartamente, si dhe me një spital të madh. Kjo përfshin edhe ambiente të ndryshme për sportistët me nevoja të veçanta, që do të jenë pjesë e Lojërave Paraolimpike. Virusi "Zika" mbetet një kërcënim real për shëndetin e sportistëve dhe mijëra turistëve, ndërsa këtë javë u arrestua dhe një grup që planifikonte sulme terroriste. Por sidoqoftë, optimizmi mbretëron në vendin e Amerikës Latine, që pret me statujën legjendare të Krishtit në Rio të paktën 500 mijë vizitorë. Neymar kërkon medaljen e artë olimpike me Brazilin Një medalje e artë olimpike mungon në arsenalin e trofeve të sulmuesit brazilian Neymar, trofe të cilin futbollisti i Barcelona-s shpreson ta shtojë në fundin e kësaj vere. Lojtari i "Selecao"-s, një imazh për të gjithë delegacionin olimpik të vendit të Sambës, ka nënvizuar se kombëtarja e ka harruar zhgënjimin në Kupën e Amerikës dhe tani shpreson në diçka speciale. "Të luash në Brazil është krejt ndryshe dhe ne kemi një mundësi të papërsëritshme për të shkruar historinë dhe për të marrë një medalje të artë në futboll, si asnjëherë më parë për vendin.

Unë kam një medalje argjendi nga lojëra të tilla, por besoj se këtë herë do të marrim edhe më shumë", ka theksuar Neymar. Në Olimpiadën e parë që zhvillohet në Amerikën e Jugut, presioni është dukshëm në vendin organizator sa i përket kategorisë së futbollit. Dështimet e së kaluarës së afërt, si humbja shkatërruese 7-1 me Gjermaninë në Botëror dhe dalja e turpshme nga grupet e Kupës së Amerikës, imponojnë Brazilin që të paktën të dhurojë spektakël, e pse jo edhe medalje.

(Kosova Sot)