Partizani në Champions, përplasje “demash” ndaj Salzburg

  • 25 July 2016 - 22:07
Partizani në Champions, përplasje “demash” ndaj Salzburg

Do të jetë skuadra austriake e Red Bull Salzburgut, pengesa e radhës në ëndrrën europiane të Partizanit në arenën kontinentale të futbollit.


Sfida e kësaj të marte në “Elbasan Arena” përfaqëson një përplasje “Demash të kuq” me austriakët që kanë të njëjtin pseudionim si kryeqytetasit e Tiranës, një 90 minutësh që pavarësisht diferencave është vështirë të parashikohet. 

Partizani do të luajë kundër Salzburgut në ndeshjen e vlefshme për turin e tretë paraeleminator të Champions League. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 26 korrik, ndërsa e kthimit nuk do të luhet më 2 gusht siç ishte planifikuar, por më 3 gusht. Lajmi është konfirmuar nga UEFA e cila thekson se takimi i kthimit do të luhet ditën e mërkurë më 3 gusht në orën 20:30.

Të dy skuadrat do të kenë 7 ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e kthimit, e cila pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar ekipin që do kualifikohet më tej në Champions League. Edhe në rast se Partizani eliminohet nga Salzburg, ka një shans për të luajtur në Europa League pasi do të luajë në ‘play off’. 

Sfida e “Elbasan Arenës” është e katërta jashtë fushe për Salzburgun këtë nisje sezoni, pas udhëtimeve me Stejrin, Liepaja dhe Gracin në Austri.

Trajneri Oskar Garsia pranoi avantazhin e ndeshjes së dytë në shtëpi, por një problem janë dëmtimet. Ray Yabo dhe Smail Prevljak do të mungojnë pas dëmtimeve në gju së bashku me Paulo Miranda dhe Christoph Leitgeb. Listës së të  padisponueshmëve i shtohet edhe Asger Sorensen që do mungojë 3 javë. 

Stefan Lainer është në dyshim për austriakët por skuadra mike ka rikuperuar një element të rëndësishëm si Marc Rzatkovski. Blerja e re Uanderson ndërkohë po pret lejen e UEFA-s për të luajtur në Elbasan Arena. 

(Kosova Sot)