Infrastruktura po e rrezikon cilësinë e futbollit

  • 26 July 2016 - 08:52
Infrastruktura po e rrezikon cilësinë e futbollit

Futbolli ynë në edicionin e ri pritet të sjellë disa risi.

"Ndoshta fushat nuk janë edhe shumë keq, por ajo që pengon më së shumë është infrastruktura përreth fushës, që duhet patjetër të përmirësohet. Vetëm zhveshtoret e stadiumit të Hajvalisë mjaftojnë për të "ndezur alarmin", ka thënë Valmir Bytyçi,raporotn Gazeta Kosova Sot

F utbolli i Kosovës në kampionatin e ri pritet të sjellë shumë risi sa i përket nivelit të garave dhe transferimeve të lojtarëve, por jo edhe në infrastrukturën sportive, e cila vazhdon të mbetet e keqe. Edicionin e kaluar deshëm apo jo, pamjet që ofronin stadiumet në Istog, në Vushtrri e në Kizhnicë ishin vërtet jo të nivelit që duhet t'i ketë një klub që pretendon të dalë në arenën evropiane. Dy të parat do t'i "mungojnë" futbollit tonë, pasi në kampionatin e ri do të shërbejnë për Ligën e Parë, derisa në gjendje jo të mirë mbetet ai në Kizhnicë. Gjithsesi, sivjet futbollit tonë do t'i mungojë stadium i Prishtinës, i cili është në rinovim dhe skuadra bardhekaltër, sipas të gjitha gjasave, ndeshjet e saj do t'i zhvillojë në stadiumin e Flamurtarit, që dorën në zemër nuk përkon me një skuadër të madhe, siç është Prishtina. Kjo edhe është arsyeja që njohësit e futbollit frikësohen se pikërisht mungesa e infrastrukturës adekuate po e rrezikon cilësinë e futbollit tonë. Portieri me përvojë, Valmir Bytyçi e pranon se niveli i futbolli varet shumë nga fushat, por ai thotë se nga ky vit edhe në këtë segment ka nisur të mendohet.

Lëvizje pozitive Sipas gardianit pejan, pranimi i Kosovës në UEFA e në FIFA i ka ndryshuar gjërat dhe kjo po shihet te disa klube që po investojnë bukur shumë në ekipe, derisa kjo gjë kohëve të fundit po ndodh edhe nëpër stadiume. "Pranimi në UEFA i ka "lëvizur gurët", dhe gjëra pozitive po shihen. Unë po besoj shumë se këtë vit nuk do të na mungojnë fushat e rrafshëta për lojë. Besa pas 16 vjetëve në mënyrë profesionale e ka prerë dhe e ka rrafshuar hapësirën e portierit që është shumë pozitive. Unë po besoj se edhe në fushat e tjera do të ndodhë e njëjta gjë", ka thënë Valmir Bytyçi, sipas të cilit në Kosovë janë diku 7 fusha që mund të zhvillohet futboll i mirë, por që ka edhe të tilla që nuk duhet pranuar. "Ajo që pengon më shumë është infrastruktura përreth fushës, që duhet patjetër të përmirësohet. Vetëm zhveshtoret e stadiumit të Hajvalisë mjaftojnë për të "ndezur alarmin" te Komisioni për pranimin e fushave, i cili shpresoj se këtë vit do të jetë rigoroz në përmbushjen e kritereve", ka vlerësuar Bytyçi.

Prishtina në Kastriot? Padyshim, njëri nga stadiumet më të dashura për t'u zhvilluar ndeshjet mbetet ai i Prishtinës, por ja që këtë kampionat ky objekt do t'i mungojë futbolldashësve, pasi është në rinovim e sipër. Prishtina, edhe pse ende nuk e ka konfirmuar, duket se ndeshjet si vendase do t'i zhvillojë në stadiumin e Flamurtarit, gjë e cila nuk duket se do të jetë zgjedhja më e mirë. "Unë them se do të ishte më e arsyeshme që Prishtina të luajë në Kastriot, për hir të futbollit. Derbit siç janë Prishtina - Besa apo Prishtina - Feronikeli, nuk e meritojnë të luhen në një stadium ku nuk zë më shumë se 2 mijë veta", tha Bytyçi, të cilit sivjet do t'i mungojnë të gjitha fushat, pasi për shkak të lëndimit nuk do të mund të luajë. "Po ndihem mirë, por ende jo në maksimumin për t'u stërvitur si duhet. Në janarin e vitit të ardhshëm do ta kem një kontroll të detajuar dhe një përgjigje përfundimtare. Momentalisht po kontribuoj në shtabin teknik, konkretisht në punën me portierë bashkë me trajnerin Ekrem Veseli", ka përfunduar Valmir Bytyçi

(Kosova Sot)