Basha: Për Kosovën flasim në shtator

  • 26 July 2016 - 09:05
Basha: Për Kosovën flasim në shtator

Vazhdon të mbetet në pikëpyetje e ardhmja e kosovarëve.

"Do ta shohim në shtator se çfarë do të ndodhë dhe atëherë do të kuptohet çfarë kam zgjedhur, Kosovën apo Shqipërinë. Megjithatë, nëse De Biasi nuk do të më ftojë, kjo është tjetër gjë pastaj", ka thënë Basha, duke lënë të kuptohet se nëse merr një ftesë nga De Biasi mund të mbetet te Shqipërisë.

Pranimi i Kosovës në UEFA e në FIFA ka hapur debate të mëdha në opinionin futbolldashës e sidomos tek ajo e Kombëtares shqiptare, lidhur me të ardhmen e lojtarëve kosovarë që deri tash e kanë veshur fanellën e Shqipërisë. Një deklaratë "bombë", nga përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki se shumë lojtarë do t'i bashkohen Kosovës, duke mos i përjashtuar as ata të Shqipërisë, sikur ka "ndezur alarmin" të kuqezinjtë, të cilën kanë nisur një nga një t'i pyesin kosovarët nëse do ta ndërrojnë fanellën apo jo. Pas deklaratës së fundit të Amir Abrashit që do të mbetet te Shqipëria, së fundmi një pyetje e tillë i është bërë edhe mesfushorit Migjen Basha. "Lojtarët nga Kosova kanë tashmë dy mundësi për të zgjedhur. Ju personalisht, si i jeni përgjigjur De Biasi-t në telefonatën që ka bërë me secilin nga ju?", ishte pyetja që i është bërë nga mediet shqiptare, Migjen Bashës derisa ai është përgjigjur shkurt. "Do ta shohim në shtator se çfarë do të ndodhë dhe atëherë do të kuptohet çfarë kam zgjedhur. Megjithatë, nëse De Biasi nuk do të më ftojë, kjo është tjetër gjë pastaj", ka thënë Basha, duke lënë të kuptohet se nëse megjithatë merr një ftesë nga italiani i bankinës kuqezi, do të mbetet te Shqipërisë.

Ende pa skuadër Basha, pas largimit nga skuadra italiane Como, ku ishte i huazuar nga Luzern-i, nuk e di se ku do të luajë gjatë këtij edicioni. Mesfushori kosovar ka thënë se edhe me skuadrën zvicerane ku edhe ka kontratë vështirë se do të vazhdojë. "Për momentin, e ardhmja ime është në pikëpyetje. Nuk e di se ku do të luaj. Kam nisur përgatitjet prej disa ditësh me Luzren-in, mirëpo ende nuk kam folur me klubin. Dëshira, ime është që të largohem dhe besoj se nuk do të jem pjesë e Luzern-it për këto ndeshje.", ka thënë Migjen Basha i cili e pëlqen shumë futbollin italian dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë pikërisht ky kampionat që do të zgjedh për ta vazhduar karrierën. Basha, padyshim kulmin e formës e kishte te Torino, por për shkak të një lëndimi iu kufizua hapësira dhe nga atëherë karriera e tij ishte në rënie me shpresë së shumë shpejt do ta gjejë një skuadër stabile.

(Kosova Sot)