Arrivabene mohon zërat për largimin e Vettel-it

  • 26 July 2016 - 09:07
Arrivabene mohon zërat për largimin e Vettel-it

Ky edicion i Ferrari-t nuk është aspak pozitiv dhe kjo u pa edhe në Çmimin e Madh të Hungarisë. Së fundmi, rreth "Kokëkuqes" italiane janë shtuar zërat për ndryshime të mëdha në skuadër, ku përfshihen largimet e mundshme të Sebastian Vettel dhe James Allison.

Për Vettel u mendua për një kalim të mundshëm te Mercedes-i në vitin 2018, madje sipas shefit të Red Bull, Christian Horner, 4 herë kampioni i botës e dëshiron me forcë një lëvizje të tillë. Megjithatë, ai që mendon të shuajë këto zëra është drejtuesi i Ferrari-t, Maurizio Arrivabene, i cili ka folur gjatë Çmimit të Madh të Hungarisë. "Vettel nuk e ka thënë kurrë që nuk i pëlqen atmosfera te Ferrari.

Përkundrazi, në shumë raste ai ka pohuar se ndihet shumë komod në skuadër. Pak muaj më parë, gazetarët i bënë të njëjtën pyetje Kimi Raikkonen. Më pas më erdhi radha mua, kur u fol se do të zëvendësohesha nga James Allison. Tani që u zyrtarizua kontrata me Raikkonen po flasin për largimin e Allison. Ju kërkoj që të na lini të punojmë të qetë", ka deklaruar Arrivabene. Më pas ai mohoi se morali te Ferrari është në pikën më të ulët. Ai shtoi se të gjithë pjesëtarët e skuadrës janë të bashkuar dhe se askush nuk dorëzohet.

(Kosova Sot)