Lahm: Ancelotti, njeriu i duhur për Bayernin

  • 26 July 2016 - 14:09
Lahm: Ancelotti, njeriu i duhur për Bayernin

Kapiteni i Bayernit, Philipp Lahm, ka shkruar një editorial në sajtin “Goal.com”, me të cilin klubi bavarez ka lidhur kontratë për bashkëpunim mediatik.

Aktualisht, kampionët e Gjermanisë janë në Chicago, aty ku po kryejnë turin e verës dhe do të luajnë disa ndeshje miqësore. E gjitha është një përpjekje për të fituar para’ në sajë të marketingut – kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar – por Lahm thekson forcën e madhe të futbollit te tifozët kudo në botë.

Nga rreshtat e tij duke lavdëruar trajnerin e ri Carlo Ancelotti dhe deri te dedikimi për tifozët, ja ç’shkruan kampioni i botës: “Pak trajnerë e kuptojnë nevojën për ekuilibrin e duhur aq mirë sa Carlo Ancelotti. Pas dy javësh stërvitje me të, unë besoj plotësisht se për momentin ai është njeriu i duhur të drejtojë Bayernin. Ai është një italian i cili ka stërvitur te në Milano, Londër, Paris dhe Madrid, duke fituar tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ai di se si të flasë me lojtarët dhe është e dukshme se është i emocionuar që është këtu. Dhe kjo na bën të ndihemi shkëlqyeshëm.

Të jem futbollist do të thotë se gjithnjë e kam futbollin në mendjen time. Kur shoh lajmet, për shembull, nuk ka rëndësi se në cilin vend të botës po ndodh ngjarja, unë prapë se prapë dalloj fëmijët duke veshur fanellat e Barcelonës, Manchester Unitedit, Real Madridit apo Bayernit. Është e rëndësishme të mendosh për ata fëmijë, kur shkojmë në ture si ky në SHBA. Të gjithë ata janë një Ronaldo, Ribery apo Neymar i ri. Mund të jenë në Indi, Afrikë apo Amerikë. Kjo tregon se se sa i rëndësishëm është futbolli kudo në botë.

Tifozët janë gjëja më e rëndësishme në futboll dhe, në këto kohë, ata janë me të vërtet kudo. Ata i shohin të gjitha ndeshjet tona në televizion apo “online”. Nuk them dot se çdo tifoz i cili dëshiron të na shohë duke luajtur mund ta bëjë këtë kur ne shkojmë në vendin e vet, por do të thotë shumë që ata të shohin se jemi realë, se jemi me të vërtet atje. Ata nuk janë të vetmit që përfitojnë nga kjo. Ne kemi shansin të mësojmë gjëra të reja dhe të njohin kultura të reja dhe mënyra të tjera të të jetuarit.”

(Kosova Sot)