Sportistëve që përfaqësojnë shtetin në Lojërat Olimpike, të premten Thaçi ua dorëzon flamurin shtetëror

  • 26 July 2016 - 16:06
Sportistëve që përfaqësojnë shtetin në Lojërat Olimpike, të premten Thaçi ua dorëzon flamurin shtetëror

Më 29 korrik, në një ceremoni solemne, ekipit olimpik të Kosovës do t’i dorëzohet edhe zyrtarisht flamuri shtetëror, ngjyrat e të cilit do t’i mbrojnë tetë sportistët tanë në Rio të Brazilit.

Kjo ceremoni do të mbahet në Amfiteatrin e Gërmisë në Prishtinë, në të cilin në mbrëmjen e 29 korrikut do të mblidhen veteranë të sportit kosovar, federatat sportive, kori diplomatik, krerët e shtetit dhe figura të shumta publike.

Ftesat tashmë janë duke u dërguar nga këshilli organizativ, i cili përbëhet prej Presidencës së Kosovës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

Adil Behramaj nga kabineti i presidentit Thaçit tregon për Telegrafin, se nata e 29 korrikut do të jetë më shumë një natë festive për komunitetin sportiv, derisa flamuri shtetëror, ekipit tonë olimpik do t’i dorëzohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

“Përgatitjet janë në fazën finale. Skenari, në përputhje me karakterin që ka ky organizim, me të cilin sadopak do mundohemi që t’iu tregojmë sportistëve tanë se sa e çojmë angazhimin e tyre, rezultatet e tyre, tashmë është në përfundim e sipër. Gjithashtu, në bashkëpunim ditor me Komitetin Olimpik të Kosovës, meqë fushatën promovuese jemi duke e organizuar bashkërisht, pjesëmarrjen e sivjetme të ekipit tonë olimpik do të përpiqemi që ta mbulojmë sa më mirë medialisht, brenda dhe jashtë vendit, sepse kjo pjesëmarrje e parë e jona si shtet, natyrisht që ka shumë rëndësi në forcimin e identitetit tonë shtetëror”, thotë Behramaj.

Ndryshe, në disiplinën e xhudos, Kosovën do ta përfaqësojnë Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, në not do ta përfaqësojnë Lum Zhaveli dhe Rita Zeqiri, në atletikë Vijona Kryeziu dhe Musa Hajdari, në shenjëtari Urata Rama, kurse në çiklizëm Qëndrim Guri.

Shumica prej këtyre sportistëve janë kampionë të shumëfishtë në disiplinat e tyre sportive, derisa Majlinda Kelmendit i ka mbetur vetëm edhe medalja olimpike pa e fituar, sepse të gjitha medaljet e tjera i ka marrë në këto vitet e fundit në kampionatet evropiane dhe botërore. 

(Kosova Sot)