Higuain është i Juves, Napoli merr 90 mln euro

  • 26 July 2016 - 16:52
Higuain është i Juves, Napoli merr 90 mln euro

Telenovela më e bukur e futbollit në Itali ka marrë fund: Gonzalo Higuain është një futbollist i Juves.

Edhe pse ende skuadra bardhezi nuk ka bërë zyrtarizimin, Marotta ka depozituar në federatë kontratën e argjentinasit. Në fakt ajo që kuptohet më së miri është se Juve ka prishur kontratën që argjeninasi kishte me Napolin, duke depozituar shumën prej 90 milionë eurosh, ndërsa do të paguajë 7.5 milionë euro në sezonet për 4 vitet e ardhshme futbollistin.

Vizitat mjekësore u kryen në fshehtësi të plotë një javë më parë në Madrid, përpara se ti komunikohej Napolit zyrtarisht pagimi i klauzolës së prishjes së kontratës. U përfol që këto vizita kanë shkelur rregullat për një futbollist që është në kontratë me një tjetër skuadër, por në fakt futbollistët që në kontratë kanë të shkruar të drejtën për prishjen kundrejt një shume të caktuar, mund t’i kryejnë bisedimet dhe vizitat dhe në këto kushte e gjithë manovra juventine quhet legjitime.

Tani pritet vetëm ardhja e Higuain në Torino. Flitej për të mërkurën, por Pipita do të jetë në Torino vetëm të enjten, ndërsa prezantimi do të bëhet zyrtarisht të premten më 29 korrik.

(Kosova Sot)