"Rebelohen" gjyqtarët

  • 27 July 2016 - 08:41

Kjo mënyrë e pagesës shpresohet se do të ndryshojë .

"Para pranimit në UEFA e FIFA, parat për gjykimin e një ndeshjeje i kemi marrë në zarfe, derisa nga shuma e pagës i kemi ndarë 5 euro që gjithashtu i kemi fut në zarfe për t'i dërguar në FFK si një lloj takes. Shpresojmë se tash e tutje do të paguhemi përmes bankës e pse jo edhe të rriten pak", ka thënë njëri nga gjyqtarët e futbollit në kushte anonimiteti.

Dy klubet kosovare, Feronikeli e Prishtina u kritikuan fortë nga adhuruesit e futbollit për shkak të moslicencimit nga UEFA, për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve dhe atë të Ligës së Evropës. UEFA refuzoi t'i licencoi këto klube për shkak të mos funksionimit sipas kritereve të këtij institucioni. Mirëpo, jo vetëm klubet kosovare kanë funksionuar jo sipas rregullave të FIFA-s. Në gjë të tillë e kanë bërë edhe gjyqtarët e futbollit të cilët përveçqë marrin në pagesë modeste, ata deri në kampionatin e fundit janë paguar me para në dorë, veprim ky jo në bazë të rregullave të FIFA-s. "Është e vërtet që parat për gjykimin e një ndeshjeje i kemi marrë në zarfe, derisa nga shumë e pagës i kemi ndarë 5 euro si një lloj takse. FIFA nuk i lejon këto gjëra dhe besoj se do të ndryshojnë tash kur jemi të pranuar në këtë institucion", ka thënë njëri nga gjyqtarët e Superligës së Kosovës në futboll në kushte anonimiteti. Ky trend sipas numrit një të gjyqtarëve, Përparim Hasanit, do të ndryshojë, pasi ata tashmë kanë caktuar një mbledhjen me Komitetin Ekzekutiv dhe aty do të diskutohet gjithçka.

Duan rritje të mëditjes Gjyqtarët e futbollit nuk kanë rrogë fikse për punën që bëjnë, ata paguhen ndeshje për ndeshje, dhe në rast që arrijnë t'i gjykojnë katër ndeshje në muaj, që është maksimumi për një gjyqtar, i bie të marrin një pagë prej 400 euro kryesori ndërsa 320 asistenti. Këmishëzinjtë po shpresojnë se tash pas pranimit në UEFA e FIFA përveçqë do të ndryshohet mënyra e pagesës, edhe të ketë rritje të saj. "Në Superligë, gjyqtari kryesor paguhet 100 euro, asisten tët nga 80 ndërsa gjyqtari i katërt 50 euro, secili paguan 5 euro taksë për këtë shumë. Në ligën e parë kryesori paguhet 80 euro, ndërsa asistenti 60 euro, 4 euro paguajnë taksë", ka njoftuar arbitri kosovar. "Sigurisht që nuk është e mjaftueshme dhe po shpresoj se në edicionin e ri pasi jemi në UEFA do të rritet pagesa. Përveç kësaj edhe mënyra e pagesës duhet të ndryshojë, ku përveç që FIFA nuk lejon që të paguhemi në dorë, është edhe një imazh i keq për gjyqtarin, pasi nëse arrin dikush të fotografojë duke marrë pare në zarf, si mund të arsyetosh se me çfarë qëllimi po i merr ato para", përfundoi gjyqtari kosovar.

Hasani: Do të ketë ndryshime "Këta gjyqtarë e meritojnë të paguhen më mirë, pasi vërtet kanë gjykuar korrekt, por mos të harrojmë se rritja e pagesave për ndeshje është bërë një vit më parë, pra vazhdimisht kemi pasur rritje dhe besoj se në një të ardhme të afërt prapë të kemi, por gjithmonë duke i shikuar kushtet në të cilat gjendemi", ka thënë Hasani, i cili duhet pranuar se ka një autoritet te gjyqtarët dhe ndikimi i tij ka bërë që gjykimi në Kosovë, dita-ditës të përmirësohet. Hasani, ka thënë se edhe mënyra e pagesës, sigurisht që do të ndryshojë dhe kjo do të bëhet në koordinim me FFK-në. "Numri një i FFK-së, Fadil Vokrri vazhdimisht ka kërkuar të punohet vetëm në bazë të rregulloreve të FIFA-s. Tash pas pranimit gjërat kanë ndryshuar dhe sigurisht që në takimin që do ta kemi me drejtuesit e FFK-s, do ta diskutojmë edhe çështjen e pagesës dhe se asnjë gjë nuk do të bëhet nën kundërshtim me rregullat e UEFA-s e FIFA-s", ka thënë Përparim Hasani, duke shtuar se është i kënaqur me punën që po bëjnë gjyqtarët dhe shumë shpejt beson se edhe ndonjë gjyqtar kosovar do të referojë në ndeshjet ndërkombëtare. "Gjyqtarët e mirë do të vazhdojnë të gjykojnë, ata të dobëtit do të mbesin në shtëpi. Pra nuk do të ketë tolerim për askënd, dhe unë jam i bindur se kemi një brez të mirë të gjyqtarëve që shpejt do të depërtojnë edhe ndeshje ndërkombëtare", përfundoi Përparim Hasani.

(Kosova Sot)