Grezda gati për hapin e madh

  • 27 July 2016 - 08:45
Grezda gati për hapin e madh

Kampionët e Kroacisë shohin te 21-vjeçari, i lindur në Gjakovë, Eros Grezda, zëvendësuesin ideal të talentit Marko Pjaca, i cili pak ditë më parë u transferua zyrtarisht te Juventus-i për rreth 23 milionë euro.

Mesfushori kosovar, Eros Grezda, është gati për të bërë hapin e madh në karrierë. Mesfushori i kombëtares Shpresa të Shqipërisë, i cili edicion e kaluar shkëlqeu në kampionatin kroat me fanellën e Lokomotiva-s së Zagrebit, ka përfunduar në radarët e Dinamo-s së Zagrebit. Kampionët e Kroacisë shohin te 21-vjeçari, i lindur në Gjakovë, zëvendësuesin ideal të talentit Marko Pjaca, i cili pak ditë më parë u transferua zyrtarisht te Juventus-i për rreth 23 milionë euro. Grezda për momentin është nën kontratë deri më 30 qershor të vitit 2019 me Lokomotiva-n e Zagrebit. Kushton 1 milion euro Megjithatë, drejtuesit e Dinamo-s për të bindur skuadrën tjetër nga Zagrebi të lejojë largimin e lojtarit janë gati të ofrojnë 1 milion euro. Pikërisht me këtë shumë vlerësohet kartoni i Eros Grezdës nga faqja e specializuar për transferimet e futbollistëve, transfermarkt.de.

Te Lokomotiva do ta kenë të vështirë t'u thonë jo kampionëve të Kroacisë nëse interesimi i këtyre të fundit është konkret, duke ditur edhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes drejtuesve të dy klubeve. Dinamo Zagreb-it e përdor Lokomotiva-n si një klub satelit, ku huazon lojtarë të rinj në moshë, të cilët arrijnë të fitojnë eksperiencën e nevojshme te kjo skuadër. Rasti më i fundit është ai një shqiptari, pikërisht Endri Çekiçit. Talenti i kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve luan që prej janarit të vitit 2016 nga Dinamo e Zagrebit te Lokomotiva në formë huazimi. Për sa i përket Grezdës, me një kalim të mundshëm te skuadra më e madhe e futbollit kroat ai do të bënte një hap të rëndë- sishëm përpara në karrierën e tij, pasi do t'i jepej mundësia të luante edhe në fazën e grupeve të një prej dy kompeticioneve më të rëndësishme evropiane, duke pasur parasysh faktin se Dinamo e Zagrebit kualifikohet rregullisht në grupet e Championsit ose Evropa Leagues. 21-vjeçari shqiptar spikati edicionin e kaluar me Lokomotiva-n e Zagrebit teksa zhvilloi në total 29 ndeshje në kampionatin kroat, duke realizuar edhe 9 gola, edhe pse luan në rolin e mesfushorit të krahut.

(Kosova Sot)