Abrashi i vendosur: Nuk largohem nga Kombëtarja

  • 27 July 2016 - 11:06
Abrashi i vendosur: Nuk largohem nga Kombëtarja

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi tha se njëri prej lojtarëve që luajti në Evropian me Kombëtaren shqiptare do të shkojë te Kosova, por ky futbollist nuk është Amir Abrashi. Mesfushori i kuqezinjve ia ka mbyllur dyert Kosovës duke thënë se nuk ka asnjë qëllim për t’u larguar nga Shqipëria dhe do të vazhdojë të qëndrojë ende me kuqezinjtë.

Ai ka shprehur dëshirën për të bërë një sezon të mirë në Bundesligë, por gjithashtu iu përgjigj interesit të madh të tifozëve shqiptarë për të sqaruar të ardhmen e tij. “Unë do të vazhdoj të qëndroj te Shqipëria dhe nuk kam asnjë qëllim për t’u larguar. Jam i kënaqur dhe njëkohësisht shumë i lumtur për atë që kemi bërë në Evropian. Jam pjesë e kuqezinjve dhe nuk kam ndër mend të largohem”, ka thënë Abrashi në gjuhën gjermane.

“Sezoni? Vijmë pas një sezoni shumë të mirë të Freiburgut në Bundesligën 2, ndërsa tani jemi mes ekipeve më të mira të Gjermanisë. Do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën dhe të luftojmë për ta përfunduar kampionatin sa më lart të jetë e mundur. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe t’i vendosim objektivat hap pas hapi”, tha Abrashi.

(Kosova Sot)