Asteras ofertë zyrtare për Andi Lilën

  • 27 July 2016 - 15:09
Asteras ofertë zyrtare për Andi Lilën

Andi Lila mund të ndërrojë skuadër por jo kampionat. Futbollisti i kombëtares shqiptare kërkohet nga Asteras Tripolis, madje drejtuesit e kësaj skuadre sipas asaj që raportojnë mediat greke i kanë bërë një ofertë prej 180 mijë eurosh Pas Janinës për kartonin e 30-vjeçarit.

Vlera e Andi Lilës sipas faqes së specializuar për transferimet e futbollistëve, transfermarkt kap shifrën e 700 mijë eurove por duke qenë se kuqeziu ka vetëm një vit kontratë mes Pas Janinën është kjo arsyeja kryesore që oferta e drejtuesve të Asteras Tripolis ka qenë kaq ulët sepse në verën e vitit 2017 , Lila mund të largohet me parametër zero.

Megjithatë presidenti i Pas Janinës Giorgios Christovasilis ende nuk u ka kthyer një përgjigje drejtuesve të Asteras kjo për vetë faktin se Andi Lila është një futbollist shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe trajneri Petrakis ka nevojë për shërbimet e tij në dy përballjet për turin e tretë kualifikues të Europa League ndaj holandezëve të Azeta Alkmaar.

Mbetet për tu parë se cfarë do të ndodhë me të ardhmen e 30-vjecarit pas këtyre dy ndeshjeve. Andi Lila ishte pjesë e Shqipërisë në Euro 2016. Ai u aktivizua si titullar nga trajneri De Biasi në takimet ndaj Francës dhe Rumanisë me ish lojtarin e Parmës që bëri dy paraqitje me të vërtetë shumë pozitive.

(Kosova Sot)