Milan mposht Bayern, PSG fiton ndaj Real Madrid

  • 28 July 2016 - 13:16
Milan mposht Bayern, PSG fiton ndaj Real Madrid

Milani ka mposhtur Bayern Munich në turneun “Audi Football Summit”, që po zhvillohet në Çikago të SHBA. Edhe pse Bayern e nisi më mirë lojën duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 2-1, në pjesën e dytë u shënuan edhe tri gola duke u barazuar gjithçka 3-3 e duke shkuar ndeshja në penallti.

Të parët që kaluan në avantazh ishin italianët e drejtuar nga Montella i cili e nisi me këmbë të mbarë, pasi kuqezinjtë fituan me penallti.

Për Bayern, Ribery shënoi dy herë, ndërsa Alaba një herë. Për Milanin e Montellas, shënuan Niang, Bertolacci dhe Kucka.

Golin e fundit të penalltive për Milanin e shënoi Kucka me një goditje “alla Panenka”. Edhe pse Bayern ishte pa yjet e tij, kjo fitore rrit moralin e kuqezinjve për sezonin e ri, pasi ende nuk është vendosur se çfarë drejtimi do marrë klubi për të ardhmen.

Ndërsa, nga ana tjetër, francezët e PSG-së kanë qenë më mirë se Real Madrid duke e mposhtur 3-1. Pa lojtarët kryesore, “Los Blancos” u duk larg formës kundër PSG-së së drejtuar nga Emery. Parizienët fituan falë një goli të Ikoné dhe dy të tjerëve, që kanë për autor Meunier. Ndërsa, golin e vetëm për Realin e shënoi Marcelo.

Me Superkupën e Europës në horizont, Zidanit i kanë mbetur vetëm 12 ditë që të përgatisë skuadrën në ndeshjen e parë vendimtare të sezonit të ri. Forma që treguan madrilenët mbrëmë në Ohajo nuk është ajo e kampionëve të Europës.

(Kosova Sot)