FFK-ja në pritje të FIFA-s

  • 29 July 2016 - 09:47
FFK-ja në pritje të FIFA-s

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në shtator i nis ndeshjet kualifikuese për kampionatin Botëror “Rusia 2018”, derisa shtabi teknik i saj ende është në “mjegull”, në pritje të vendimit të FIFA-s për të ardhmen e lojtarëve kosovarë që kanë luajtur për Kombëtaret e tjera, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Federata e Futbollit e Kosovës tash e një kohë ka dërguar një letër në FIFA, nga e cila ka kërkuar përgjigje nëse lojtarët kosovarë që deri para pranimit të Kosovës në këtë institucion kanë luajtur për kombëtaret e tjera kanë të drejtë t’i bashkohen Kosovës apo jo. Tash, kur kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në zhvillimin e ndeshjes së parë, që luhet ndaj Finlandës, FIFA nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje, duke e lënë përzgjedhësin Albert Bunjaki në pritje.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se deri tash ky institucion ka dërguar tri letra në FIFA dhe nuk ka marrë ende përgjigje.

Sipas Salihut, nëse kjo nuk ndodh brenda një kohe të shkurtër, FFK-ja do të kërkojë një takim me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar sqarime rreth kësaj çështjeje.

(Kosova Sot)