Mancini do të punojë për të përmirësuar Inter-in

  • 29 July 2016 - 10:36
Mancini do të punojë për të përmirësuar Inter-in

Roberto Mancini hodhi edhe një herë tjetër poshtë zërat që flasin për një largim të mundshëm të tij nga Inter-i, por në të njëjtën kohë nuk nguroi të thumbonte drejtuesit e klubit zikaltër, presidentin Erick Thohir dhe pronarët e rinj kinezë, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Pas miqësores së zhvilluar ndaj Estudiantes-it (1:1), Mancini  i intervistuar nga mediat theksoi se nuk ka aspak ndërmend të japë dorëheqjen nga stoli zikaltër: “Më keni dëgjuar të flas ndonjëherë për diçka të tillë. Unë ndodhem këtu dhe punoj për të përmirësuar Inter-in”.

Në vazhdim 51-vjeçari thumboi drejtuesit e skuadrës duke u shprehur: “Shpresoj që edhe të tjerët të punojnë për ta bërë Inter-in më të fortë”. I pyetur për tensionin që ekziston mes tij dhe krerëve më të lartë të klubit Mancini u përgjigj në mënyrë diplomatike duke shtuar sa ai punon vetëm për të përgatitur në mënyrën më të mirë skuadrën për fillimin e kampionatit. Lidhur me deklaratat e fundit të presidentit Thohir, trajneri ka shtuar se ai është presidenti dhe mund të thotë çfarë të dojë.

Për sa i përket afrimit të mundshëm të Candreva-s kalimi i të cilit te Inter-i është thuajse i sigurt Mancini deklaroi se për momentin Antonio është një futbollist i Lazio-s dhe se nuk mund të flasë për të.

(Kosova Sot)