Çfarë po i mungon Sarri-t?

  • 29 July 2016 - 11:12
Çfarë po i mungon Sarri-t?

Nga idhull, tani Gonzalo Higuain është kthyer në një tradhtar në Napoli dhe jo vetëm për popullin napolitan dhe presidentin Dino De Laurentiis, por me sa duket edhe për trajnerin Maurizio Sarri, i cili ka një meritë shumë të madhe në rendimentin e argjentinasit edicionin e kaluar, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

 “Zgjedhja ishte e tij për t’u larguar”, ka deklaruar Sarri për të shtuar: “Kemi humbur sulmuesin më të fortë në botë. Nga pikëpamja profesionale ka një keqardhje, por pres të paktën një telefonatë dhe shokët e skuadrës sigurisht që presin një përshëndetje, që ka munguar me sa di unë. Por, në çdo rast e presim atë dhe Juven e tij në San Paolo”.  

Më pas trajneri i Napoli-t deklaroi se përgatitjet e kësaj vere kanë qenë pak më të vështira se një vit më parë, duke qenë se shumë futbollistë kanë mbërritur me vonesë, për shkak të angazhimeve me skuadrat kombëtare

. Ndërkohë sa i përket kampionatit, ai përdor pak ironinë, si në të gjitha deklaratat e tij: “A do të fitojë sërish Massimiliano Allegri? Në letër, po. Por mos harroni që do të ketë ndeshje dhe rrugëtim shumë të vështirë dhe një prej tyre është pa dyshim ndeshja që do të luajnë në 2 prill të vitit të ardhshëm në San Paolo”. 

(Kosova Sot)