Avdijaj, prurja e re e Shqipërisë

  • 30 July 2016 - 09:33
Avdijaj, prurja e re e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares është bindur se ka ardhur koha për një element të ri në kombëtaren shqiptar. Trajneri italian në bankinën kuqezi  ka në plane mesfushorin, që është në pronësi të Shalke 04, Donis Avdijaj dhe gjatë kualifikueseve për Botërorin “Rusia 2018”, do t’i bëjë ftesë për ta përfshirë në Kombëtare.

Emri i Donis Avdijajt është përmendur disa herë për zgjedhjen që do të bëjë dhe Kombëtaren që do të luajë, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Vetë trajneri De Biasi, në kohën kur Avdijaj ishte pjesë e Sturm Gratz, shprehej:

“Në momentin që Avdijaj do të ketë vetëm një minutë me Schalke-n në fushën e lojës, atëherë unë do t’i bëj një ftesë menjëherë për ta përfshirë në Kombëtare”.

Së fundmi, përpara pjesëmarrjes në Evropian, ishte vetë lojtari që u ofrua për të qenë pjesë e kuqezinjve. Avdijaj pranoi disa herë publikisht që do të ishte gati për Kombëtaren shqiptare, në rast se trajneri do ta vlerësonte si të duhurin që të mund të jepte kontributin e tij. Mediet shqiptare kanë mësuar se lojtari kosovar i Schalke-s do të jetë pjesë e Kombëtares, gjatë fushatës së kualifikueseve drejt “Rusi 2018”.

Burime pranë Kombëtares, kanë bërë me dije se 20-vjeçari do të jetë një nga elementet e rinj që do t’i bashkohet organikës së kuqezinjve gjatë këtyre kualifikueseve.

Donis Avdijaj ka përfunduar huazimin e tij te Sturm Gratz dhe është rikthyer të jetë pjesë e Schalke-s. Momentalisht, ai është në një periudhë rikuperimi, pasi pak javë më parë i është dashur që të kryejë një ndërhyrje. Për të, skuadra gjermane ka vënë një klauzolë prej 50 milionë eurosh.

(Kosova Sot)