Hajrizi, krenar që është pjesë e kësaj historie

  • 30 July 2016 - 10:02
Hajrizi, krenar që është pjesë e kësaj historie

Në prag të kualifikimeve të Kombëtares së Kosovës për “Eurobasket 2017”

“Me të vërtetë është kënaqësi, por edhe nder i madh të jesh pjesë e kësaj historie. Shumë gjenerata kanë kaluar dhe nuk e kanë përjetuar këtë ndjenjë, andaj neve, që na është dhënë rasti tani, na mbetet që të japim maksimumin në parket për të dëshmuar se në Kosovë gjithnjë ka pasur basketboll cilësor”, ka theksuar Drilon Hajrizi

Doellman dhe Jones pritet t’i japin zemër ekipit përfaqësues të Kosovës

Drilon Hajrizit i rrëqethet trupi sa herë i bie në mend se është në mesin e basketbollistëve që po luftojnë për një vend në 12-shen më të mirë, e cila do ta përfaqësojë Kosovën për herë të parë në kualifikimet historike për “Eurobasket 2017”. Hajrizi është pjesë e grumbullimit të Kombëtares së Kosovës, e cila tash e tri javë i ka filluar përgatitjet për kualifikimet për Evropian. Së fundi Kombëtares i janë bashkuar edhe dy lojtarët amerikanë, Justin Doellman dhe Shawn Jones, të cilët me përvojën e tyre pritet t’i japin më shumë zemër ekipit tonë përfaqësues, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Grupi i vështirë, por jo i pakalueshëm

Hajrizi ka thënë se të gjithë në Kombëtare po punojnë shumë, duke filluar nga lojtarët, trajnerët, si dhe zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), ku këta të fundit po punojnë pandërprerë që me kapacitetet e tyre t’u sigurojnë basketbollistëve dhe stafit kushte sa më të mira për punë. “Me të vërtetë është kënaqësi, por edhe nder i madh të jesh pjesë e kësaj historie. Mua më rrëqethet trupi sa herë po e mendoj një gjë të tillë. Shumë gjenerata kanë kaluar dhe nuk e kanë përjetuar këtë ndjenjë, andaj neve, që na është dhënë rasti tani, na mbetet që të japim maksimumin në parket për të dëshmuar se në Kosovë gjithnjë ka pasur basketboll cilësor. Kjo është një mundësi e madhe për të gjithë, ndërsa unë do të bëj më të mirën, në mënyrë që së pari të siguroj një vend në 12-she dhe më pas edhe t’i mbroj ngjyrat e shtetit tim në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Hajrizi, i cili më pas ka shtuar: “Në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm se në kualifikime grupin e kemi të vështirë, por jo të pakalueshëm. Të gjithë i dimë cilësitë e Sllovenisë, Ukrainës dhe Bullgarisë, por tani me ardhjen e Doellman-it dhe Jones-it, Kosova është bërë dukshëm më e fortë dhe më me përvojë. Për këtë arsye, edhe skuadrat kundërshtare nuk duhet të na nënçmojnë, por duhet të kenë kujdes të madh nga shpirti ynë luftarak dhe nga dëshira e madhe që e kemi për t’u dëshmuar në Evropë”.

Ende nuk ka vendosur se ku do të luajë në edicionin e ardhshëm

Basketbollisti mitrovicas, në disa vjetët e fundit, i ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Pejës, ndërsa aktualisht ende nuk ka vendosur se ku do të luajë në edicionin e ardhshëm. “Kam oferta nga klube, si nga vendi ashtu edhe nga jashtë. Megjithatë, momentalisht jam i përqendruar në Kombëtare dhe nuk dua të humb fokusin nga ekipi përfaqësues. Ka kohë për të vendosur për klub, dhe për këtë arsye nuk po ngutem”, ka deklaruar Hajrizi. Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luajë kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq, ndeshjen e dytë Kosova do ta luajë si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvillojë si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë. 

(Kosova Sot)