Optimizëm për një kampionat të jashtëzakonshëm

  • 31 July 2016 - 09:14
Optimizëm për një kampionat të jashtëzakonshëm

Tri skuadra veçohen më shumë për investimet që kanë bërë.

"Besoj fuqishëm se ky do të jetë viti më interesant për futbollin tonë. Skuadrat këtë herë do të dalin në Evropë dhe kjo ka bërë që organizimi i tyre të ndryshojë. Po shpresoj shumë se edhe cilësia, por edhe profesionalizmi këtë herë do të jenë shumë më mirë", ka thënë portieri vushtrrias, Burim Sadiku, raporotn Gazeta Kosova Sot 

Klubet kosovare po përgatiten për një kampionat të jashtëzakonshëm, derisa adhuruesit e futbollit me plot të drejtë po presin një garë spektakolare. Si kurrë më parë entuziazmi sivjet është i madh, kjo pasi pranimi në UEFA e FIFA ka ndryshuar qasjen, edhe pse duhet theksuar se ende nuk jemi në nivelin e dëshiruar. Klubet kanë bërë disa investime në futbollistë dhe kjo është arsyeja kryesore që të pritet një garë joshëse, pasi tifozët e këtyre skuadrave që kanë investuar po besojnë se sivjet kanë arsye të mëdha për të shkuar në stadium. Gjithsesi, ajo që më së shumti i shqetëson adhuruesit e futbollit në përgjithësi është infrastruktura, e cila nuk ofron komoditet për të ndjekur si duhet një shfaqje sportive. Portieri me përvojë, Burim Sadiku, është i sigurt se këtë vit do të kemi një kampionat të fortë, dhe se fituesi i tij do të jetë shumë vështirë të përcaktohet deri në fund. Dy klube kosovare sivjet pritet të dalin në arenën ndërkombëtare, por sigurisht pasi t'i plotësojnë kriteret për licencim nga UEFA. Fituesi i Kampionatit dhe fituesi i Kupës marrin vizën për Ligën e Kampionëve përkatësisht Ligën e Evropës. Edicionin e kaluar këtë të drejtë e kishin Feronikeli si kampion dhe Prishtina si triumfuese e Kupës, por që asnjëra nuk u licencua për të garuar në dy kompeticionet evropiane, gjë e cila shpresohet se nuk do të ndodhë më, pasi refuzimi nga UEFA vërtet zhgënjeu futbolldashësit në vendin tonë.

Evropën e duan të gjithë Dalja në arenën ndërkombëtare pa dyshim se është arsyeja kryesore që i ka ndryshuar gjërat në futbollin tonë dhe dëshira e madhe për t'i shijuar këto gara ka bërë që klubet të gjejnë mënyra për t'u përforcuar. Besa, Prishtina e Feronikeli, janë më të veçuarat, por aspak duarkryq nuk ka qëndruar as Llapi që ka bërë prurje të mëdha. Lëvizje ka bërë edhe Gjilani e Liria, derisa së fundmi ndryshimet po shihen edhe te Drita, e cila pas një krize, duket se ka tejkaluar atë dhe është stabilizuar financiarisht. "Besoj se do te jetë ky viti më interesant për futbollin tonë.

Skuadrat këtë herë do të dalin në Evropë dhe kjo ka bërë që organizimi i tyre të ndryshojë. Po shpresoj shumë se edhe cilësia edhe profesionalizmi këtë herë do të jenë shumë më mirë", ka thënë gardiani vushtrrias, Burim Sadiku, i cili në bazë të përvojë që ka në futbollin tonë, këtë herë ka parë ndryshime të mëdha.

Feronikeli më afër titullit Sa u përket skuadrave, që janë më afër titullit të kampionit në bazë të lëvizjeve që kanë bërë gjatë këtij afati kalimtar, sipas Sadikut, është Feronikeli, por që pa dyshim rol shumë të rëndësishëm do të luajë edhe Prishtina, e cila ka sjellë lojtarë cilësorë, madje edhe nga arena ndërkombëtare si Dallkun, Currin e Jonuzajn, të cilët pritet t'i japin jehonë futbollit tonë. Gjithsesi, në këtë mes assesi nuk duhet harruar as Besën që në kampionatin e ri do të hyjë me shumë risi. "Feronikeli, mendoj që ka skuadër cilësore dhe kjo është arsyeja që unë e cilësoj si favoritin më të madh në luftë për titull. Mirëpo, assesi nuk duhet të shmangim as Prishtinën e cila ka sjellë transfere të qëlluar me lojtarë ndërkombëtarë dhe mezi pritet t'i shohim sesi do të paraqiten. Epitet të favoritit për titull i jap edhe Besës, e cila është shumë e fortë këtë vit dhe mund t'i befasojë të gjithë me lojën e saj", ka përfunduar portieri kosovar, Burim Sadiku.

(Kosova Sot)