Rio 2016 'vazhdon' në Tiranë, sherr brenda ekipit olimpik

  • 23 August 2016 - 23:19
Rio 2016 'vazhdon' në Tiranë, sherr brenda ekipit olimpik

Iku dhe një olimpiadë pa medalje dhe si gjithmonë prapa la vetëm debate dhe si gjithmonë, edhe kësaj radhe ato nuk fillojnë në Tiranë

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani nuk jep emra, por deklaron se gjithçka u bë për interesa të personave brenda ekipit olimpik, të cilët kërkojnë kokën dhe postin e tij.

“Për mendimin tim ishin të shtyra. Ata mendojnë se është koha e fushatës. Ata që e kanë shtyrë një gjë të tillë mendojnë se është koha e fushatës. Deri vitin tjetër, që do të bëhen zgjedhjet, në tetor dhe nëntor ka çdo njeri mundësitë e veta që të shpalosë programin”, deklaron Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani.

Bezhani pohon se do të ndjekë rrugën ligjore për cilindo që ka shpifur për institucionin që ai drejton, përfshi këtu edhe të atin e notarit, Sidni Hoxha.

“Unë jam President i një institucioni dhe duhet ta mbroj institucionin në të gjitha mënyrat. Edhe në rastin e Sidnit, do të shohni që janë të gjitha dokumentacionet që është krejt ndryshe nga ajo që është dhënë. Ata që kanë hedhur baltë mbi institucionin tonë do të përgjigjet ligjërisht”, shton ai.

Bezhani thekson se Komiteti Olimpik u ka shpërndarë nga 8 mijë $ të gjitha federatave, sportistët e të cilëve morën pjesë në Rio 2016. Për mungesën e Evangjeli Velit në parakalim, ai ia la përgjegjësine drejtuesve të ekipit olimpik.

Ne nuk mund të bënim të pamundurën të mundur. Ne nuk kishim koha as ta takonim Evangjelinë. Evangjelia mund të parakalonte, mund të gjehej mundësia, por atë e vendosin drejtuesit aty”, sqaron Bezhani.

(Kosova Sot)