Kukësi-Skënderbeu, sot testi i parë i titullit Superkupë

  • 24 August 2016 - 13:06
Kukësi-Skënderbeu, sot testi i parë i titullit Superkupë

Me Superkupën nis sezoni i futbollit shqiptar. Takimi i parë në “Selman Stërmasi”. Nuk luhet java e parë e kampionatit por Superkupa. Përballë kampionët e Skënderbeut, kundër fituesit e kupës Kukësi. Një ndeshje e gjitha për t’u përpirë në orën 20:00 në stadiumin e mbetur të qytetit të Tiranës. Skënderbeu-Kukësi. Për të patur interesin maksimal, mjafton rivaliteti, polemikat, miqësitë mes të dyja kampeve. Të gjithë janë thirrur në apel, për të prodhuar reklamën e parë për edicionin e ri sportive në vendin tonë. Ernest Gjoka dhe Kukësi i tij janë gati për Superkupën. Përballë Skënderbeu. Një duel direkt, me dy pretendentet për titullin që do të konfirmojnë emocionet dhe luftën sportive nga e cila do të karakterizohet sezoni i ri.

“Të gjitha finalet tregojnë supremacinë e ekipit dhe sidomos një finale ndaj Skënderbeut merr vlera, pasi ata janë ekipi që ka dominuar për kaq vite kampionatin shqiptar. Duhet të bëjmë çdo gjë për të arritur suksesin. Them që jemi gati për këtë trofe, është një kupë që na vendos në rrugë të mbarë për startin e kampionatit. Triumfi na jep mundësi të tregojmë që kemi ambicie shumë serioze për të qenë fitues të titullit. Kemi menduar që skuadra të ketë një bosht, ku përveç kapitenit Hallaçi do të kemi edhe tre zëvendëskapitenë, që janë Hasani, Shameti dhe Musolli. Këta të katërt do të jenë lokomotiva e skuadrës. Një nga gjërat kryesore të ekipit është dhoma e zhveshjes dhe këta katër lojtarë janë edhe në rolin e bordit drejtues, për të menaxhuar emocionet, si pozitive, ashtu edhe negative”, është shprehur trajneri Gjoka.

Kampionët pavarësisht goditjes së marrë nga UEFA dhe disa largimeve të rëndësishme, kanë bërë disa afrime të goditura dhe duken shumë të uritur për të tjera suksese. Thuajse në një radhë me të, janë Partizani dhe Kukësi, dy skuadrat që mbajtën lartë flamurin e futbollit shqiptar gjatë kësaj vere. Klubi ka njoftuar se për sot do të ketë transport falas për të gjithë tifozët. "Ujqërit e Dëborës" mblidhen në orën 15:00 para stadiumit "Skënderbeu" për t’u nisur drejt Tiranës. Trajneri i ri i Skënderbeut, Andrea Agostineli, ka folur sot në prag të sfidës së Superkupës kundër Kukësit. Ai nuk ka harruar të përmendë Partizanin dhe të bëjë krahasimet e tij në lidhje me ekipin që drejtoi gjatë sezonit të shkuar, të cilin pritet që ta ketë rival në edicionin e ri për titullin kampion të Superiores. “Mendoj se as nga Skënderbeu as nga Kukësi nuk do të shohim të reja. Mos prisni mrekullira.

Do të bëjmë më të mirën për t’ia dalë mbanë. Skënderbeu është një klub më i qetë, por edhe humbja nuk përbën dramë, por edhe fitorja duhet. Josa është trajner fitues, unë do të bëj më të mirën që të fitojmë titullin e radhës dhe ta nisim me trofe”, është shprehur Agostineli. Në fund pyetet mes ndryshimeve që ka Skënderbeu me Partizanin, skuadra që do të rivalizojnë për sezonin e ri të Superiores për titullin kampion, ku ai shprehet. “Skënderbeu është si Juventusi, fiton gjashtë tituj radhazi dhe mbledh lojtarët më të mirë të kampionatit. Partizani si Napoli, ka shumë dëshirë për të fituar, sepse ka kohë që nuk ka ngritur titullin kampion”, është shprehur italiani. Shkurt një ndeshje spektakolare që duhet shijuar në stadium...

Biletat 

Në prag të ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë, midis Kukësit dhe Skënderbeut, e cila do të zhvillohet sot më datë 24 gusht në stadiumin “Selman Stërmasi” të Tiranës, në ora 20.00, Federata Shqiptare e Futbollit, bën publike çmimet e biletave për këtë ndeshje. Çmimet do të jenë: Tribunat A dhe B çmimi do të jetë 600 lekë. Tribunat E dhe F, çmimi do të jetë 300 lekë. Tribunat H1 dhe H2, çmimi do të jetë 300 lekë. Në mënyrë që të ofrojë një shërbim sa më efikas dhe çdo tifozeri të ketë mundësi të blejë sa më thjeshtë biletat për skuadrën e saj, FSHF në akord me klubet, ka bërë këto ndarje tribunash: Tifozëria e Klubit “Skënderbeu” në tribunat A1, A2, H1 dhe H2, shkruan shekulli. Tifozëria e Klubit “Kukësi” në tribunat B1, B2, E dhe F. Shitja ka filluar në biletarinë fizike në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe në biletarinë online në faqen zyrtare të FSHF-së.

(Kosova Sot)