Edo nuk e ka në mendje pensionimin

  • 25 August 2016 - 08:43
Edo nuk e ka në mendje pensionimin

Po mendon të lërë gjurmë edhe me Kombëtaren e Kosovës.

"Unë më parë kam luajtur për Kroacinë dhe Shqipërinë, por tani është krejt ndryshe. T'i mbrosh ngjyrat e Kosovës në kualifikime për Eurobasket të jep një emocion tjetër. Më 31 gusht do ta luajmë takimin e parë kundër Sllovenisë, por qysh tani kanë filluar të na kaplojnë emocionet", është shprehur Edmond Azemi .

Nuk i kanë mbetur edhe shumë ditë që t'i mbushë 36 vjet, por nuk i shkon në mendje të pensionohet. Bëhet fjalë për kapitenin legjendar dhe ikonën e klubit të basketbollit Prishtina, Edmond Azemi, i cili më 10 shtator do ta festojë ditëlindjen e tij të 36-të. Edo aktualisht është në përgatitjet e përbashkëta me Kombëtaren e Kosovës, derisa ai së fundi e ka vazhduar marrëveshjen me Sigal Prishtinën edhe për edicionin e ardhshëm. Me bardhekaltrit 4-shja legjendare ka shumë trofe të fituar gjatë karrierës së tij, ndërsa tani Edo po mendon të lë gjurmë edhe me Kombëtaren e Kosovës në kualifikimet për "Eurobasket 2017". Kosova është pjesë e Grupit E, së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Trupi i tij ende mund të përballojë stërvitje intensive dhe presion

Në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", Edmond Azemi e ka theksuar se nuk mendon të pensionohet, pasi po ndihet shumë mirë dhe se trupi i tij ende mund të përballojë stërvitje intensive dhe presion. Ai ka shtuar se tani më shumë se kurrë është i motivuar për të stërvitur dhe për të punuar shumë, pasi Kombëtarja e Kosovës sivjet për herë të parë do të debutojë në kualifikime për Kampionatin Evropian. "Unë më parë kam luajtur për Kroacinë dhe Shqipërinë, por tani është krejt ndryshe. T'i mbrosh ngjyrat e Kosovës në kualifikime për Eurobasket të jep një emocion tjetër. Më 31 gusht do ta luajmë takimin e parë kundër Sllovenisë, por qysh tani kanë filluar të na kaplojnë emocionet. Unë edhe më parë kam theksuar se nuk e kam në mendje të pensionohem, sepse trupi im është në gjendje shumë të mirë, por tani që Kosovës i është dhënë e drejta për të luajtur në kualifikime nuk më shkon aspak në mendje, pasi tani motivimi është dukshëm më i madh", është shprehur Azemi. Maksimumin për të nxjerrë rezultate pozitive Në vazhdim, ai ka folur edhe për rrjedhën e përgatitjeve dhe për gjendjen momentale të Kombëtares së Kosovës. "Bëhet fjalë për një grup shumë të mirë të lojtarëve, të motivuar dhe plot vullnet për punë.

I kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, të cilat na kanë shërbyer shumë për t'u komponuar si ekip. Mendoj se deri në ballafaqimin me Slloveninë do të vazhdojmë të përmirësohemi dhe kështu debutimi historik do të na gjejë sa më të gatshëm në të gjitha aspektet. Kjo është hera e parë që do të luajmë në kualifikime, andaj na mbetet të hyjmë në parket dhe të tregojmë më të mirën tonë, por në të njëjtën kohë do ta japim maksimumin për të nxjerrë rezultate pozitive, edhe pse grupi ynë është shumë i vështirë. Mirëpo ne do të luajmë mirë në mënyrë që t'i kënaqim adhuruesit e basketbollit kosovarë kudo që janë dhe që do të na përkrahin, për të cilën gjë ne kemi nevojë shumë", ka përfunduar Edo. Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luajë kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq, ndeshjen e dytë Kosova do ta luajë si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvillojë si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë. 

(Kosova Sot)