Kanë filluar ethet e debutimit historik

  • 26 August 2016 - 10:11
Kanë filluar ethet e debutimit historik

Kombëtarja e Kosovës fazën e fundit të përgatitjeve do ta zhvillojë në Prishtinë

“Kombëtarja tani është kthyer në Prishtinë dhe do të vazhdojë me ritmin e punës intensive deri në ditën kur do të udhëtohet për në Lubjanë. Ne mendojmë se jemi të gatshëm për këtë ndeshje, por edhe të tjerat që na presin në vazhdim të kualifikimeve. Basketbollistët dhe shtabi teknik janë të motivuar dhe plot vullnet për të dëshmuar se e kanë ndërtuar një skuadër, e cila do të dëshmojë basketboll sa më cilësor”, është shprehur Arben Fetahu, drejtor i Kombëtares së Kosovës

Dy pozitat e para kualifikohen për në “Eurobasket 2017”

Kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri te ndeshja e parë kualifikuese e Kombëtares së Kosovës në basketboll, ndërsa Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është duke i bërë edhe përgatitjet e fundit për debutimin historik në eliminatoret për “Eurobasket 2017”. Kosova më 31 gusht në Lubjanë do të përballet me Slloveninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, ndërsa në Grupin E së bashku me këto dy shtete do të bëjnë gara edhe Ukraina dhe Bullgaria. Dy pozitat e para do të kualifikohen tutje për në “Eurobasket 2017”, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Gjithçka ka shkuar sipas planit dhe programit të paraparë

 

Kombëtarja e Kosovës i ka zhvilluar gjithsej 9 ndeshje miqësore gjatë fazës përgatitore, ku është ballafaquar dy herë me Estoninë në Tallinn, më pas ka marrë pjesë në një turne në Como të Italisë, ku i ka luajtur pesë ndeshje miqësore kundër Universiteteve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe së fundi ka marrë pjesë në një turne në Qipro, ku është përballur me ekipin qipriot AEK Larnaca dhe me Qipron. Në 9 miqësore Kosova ka arritur t’i realizojë 4 fitore në turneun në Itali, ndërsa në 5 ndeshjet e tjera ka pasur paraqitje mjaft të mira, edhe pse ka pësuar disfata. Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Arben Fetahu është shprehur i kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve dhe ka thënë se në ditët në vazhdim skuadra do të punojë të përmirësohet aty ku mendon se është e nevojshme të bëhet një gjë e tillë. “Prej fillimit të korrikut, kur edhe kemi startuar me fazën përgatitore për kualifikimet për ‘Eurobasket 2017’ kemi punuar si një grup dhe me seriozitetin më të madh të mundshëm, duke u nisur nga fakti se kjo është hera e parë që ne do të marrim pjesë në gara të nivelit të tillë të FIBA-s. Pra, mobilizimi ka qenë i gjithanshëm, duke filluar nga federata, pastaj nga lojtarët, shtabi teknik si dhe nga sponsorët, të cilët na kanë mundësuar një rrjedhë të mirëfilltë të përgatitjeve, kur dihet se kjo gjë është më se e kërkueshme në raste të tilla. Pra, ne jemi të kënaqur me gjithë atë që kemi përjetuar, duke filluar nga përgatitjet kondicionale e deri te ndeshjet miqësore, faza e të cilave është përmbyllur me pjesëmarrjen në turneun në Qipro”, ka deklaruar Fetahu.

Të motivuar dhe plot vullnet për fazën eliminatore

Numri një i Kombëtares së Kosovës në vazhdim ka folur edhe për punët që e presin skuadrën, por edhe federatën deri në ndeshjen e parë kundër Sllovenisë, por edhe të tjerat, faza e të cilave do të përfundojë më 17 shtator. “Kombëtarja tani është kthyer në Prishtinë dhe do të vazhdojë me ritmin e punës intensive deri në ditën kur do të udhëtohet për në Lubjanë. Ne mendojmë se jemi të gatshëm për këtë ndeshje, por edhe të tjerat që na presin në vazhdim të kualifikimeve. Basketbollistët dhe shtabi teknik janë të motivuar dhe plot vullnet për të dëshmuar se e kanë ndërtuar një skuadër, e cila në këto eliminatore do të përpiqet maksimalisht që të dëshmojë basketboll sa më cilësor për adhuruesit tanë kudo që janë”, është shprehur Fetahu. Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luajë kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq, ndeshjen e dytë Kosova do ta luajë si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvillojë si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.

(Kosova Sot)