Abrashi: Franca nuk harrohet kurrë

  • 26 August 2016 - 10:13
Abrashi: Franca nuk harrohet kurrë

Futbollisti shqiptar, Amir Abrashi ishte lojtari i vetëm i Frieburg-ut pjesëmarrës në kampionatin Evropian “Franca 2016”, për këtë arsye mediat lokale në Gjermani gjetën rastin për të zhvilluar një intervistë me 26-vjeçarin shqiptar, i cili iu desh t’u përgjigjej pyetjeve rreth eksperiencës së Shqipërisë në turneun evropian, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

“U akomoduam në një fshat të vogël në Bretanjë dhe për motive sigurie ishim shumë të izoluar”,  tregon fillimisht Abrashi.  “Qëndronim gjatë gjithë kohës në hotel, në fushën e stërvitjes, ndërsa ndeshjet i shikonim në televizion. Fillimisht patëm një ndjesi të çuditshme, por me kalimin e kohës filluam t’i njihnim edhe forcat speciale që ishin angazhuar për sigurinë tonë. Prindërit e mi më treguan se kur u futën në stadium kontrollet nuk ishin kaq të rrepta. Me një fjalë Franca nuk harrohet kurrë”, ka thënë futbollisti kuqezi duke folur më pas për përballjet me Pogba-n e Griezmann. 

“Ishte diçka shumë interesante, sidomos kur mendon për shumta që janë paguar për blerjen e lojtarëve të këtij niveli. Pyet veten dhe mendon, vërtet janë kaq të mëdha diferencat mes nesh. Kur luajtëm kundër Francës, e kuptova që Griezmann ishte në fushë vetëm kur shënoi”, ka përfunduar Abrashi.

(Kosova Sot)