Pasi pranoi Kosovën, përforcimi i ri tregon arsyet emocionuese pse mori këtë vendim

  • 26 August 2016 - 23:28
Pasi pranoi Kosovën, përforcimi i ri tregon arsyet emocionuese pse mori këtë vendim

Ardian Ismajli, mbrojtësi i Hajdukut nga Spliti u bë lojtari i fundit që pranoi ftesën e selektorit, Albert Bunjaki që të luajë për Kosovën.

Produkt i akademisë së 2 Korrikut, mbrojtësi kosovar nuk e ka harruar për asnjë moment vendlindjen, vendin ku u krijua dhe u rrit si futbollist.

E nisi në 2 Korrik, vazhdoi te Prishtina dhe tashmë çdo ditë e më shumë po shkëlqen me paraqitjet e tij në Kroaci.

 Ismajli ka konfirmuar se e ka pranuar ftesën e Kosovës që të jetë pjesë e kualifikimeve për Botëror: “Jam kontaktuar nga selektori Albert Bunjaki dhe menjëherë kam pranuar ftesën”, u shpreh Ardian Ismajli.

Duke folur për arsyet se pse e zgjodhi Kosovën, ish mbrojtësi i Prishtinës bëri një deklaratë tejet interesante: “Sepse Kosova është vendi, i cili më ka dhënë gjithçka dhe që e dua jashtëzakonisht shumë. Do të mundohem të jap më të mirën e mundshme për këtë vend”, theksoi tashmë lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës.

Edhe pse jo favorit, Kosova njihet si shtet me shumë talentë e kjo vërehet më së miri nga numri i madh i lojtarëve që luajnë edhe për shtetet tjera.

E ambicie të mëdha me Kosovën ka edhe i riu i ekipit të Hajduk: “Shpresoj që do të arrijmë sukses. Kosova ka shumë talentë dhe besoj se do të jetë surprizë në këto kualifikime”, u shpreh e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës.

Kosovari karrierën e nisi te 2 Korriku për ta vazhduar gjatë vitit 2015 si huazim te gjigandi i futbollit kosovar, Prishtina.

Në Hajduk Ardian Ismajli u transferua në Shkurtin e vitit 2016, ku nënshkroi kontratë tre vjeçare. Ai debutoi me seniorët e gjigandit kroat më 14 Maj 2016 kundër NK Zagreb, kurse golin e parë e realizoi vetëm para pak ditësh, më 21 Gusht kundër NK Rijeka.

(Kosova Sot)