Klubet ankohen, gjyqtarët heshtin

  • 27 August 2016 - 09:03
Klubet ankohen, gjyqtarët heshtin

Java e parë shumë e nxehtë, e ngjashme pritet të jetë edhe e dyta

“Është fillimi i kampionatit dhe nuk mund të komentojmë asnjë deklaratë. Përveç kësaj edhe nuk kemi të drejtë nga komisioni të deklarohemi”, ka thënë njëri nga gjyqtarët e Kosovës në kushte anonimiteti, sipas të cilit Federata duhet ta përdorë Kodin e Etikës, në mënyrë që trajnerët të jenë të kujdesshëm në deklaratat publike

Futbolli kosovar në UEFA, por me probleme të ngjashme

Gjyqtarët e futbollit kosovar nuk e kanë ndërmend të merren me ankesat e klubeve, pasi këtë ua ka ndalur FFK-ja. Ata nuk guxojnë t’i komentojnë akuzat e trajnerëve, por thonë se janë të përkushtuar maksimalisht që gabimet e ndodhura në javën e parë mos të përsëritën më, dhe se nga xhiroja  e dytë emrat e këmishëzinjve të zihen sa me pak në gojën e trajnerëve. “Është fillimi i kampionatit dhe nuk mund të komentojmë asnjë deklaratë. Përveç kësaj edhe nuk kemi drejt nga komisioni për gjyqtarë të deklarohemi, pasi situata është paksa e nxehtë”, ka thënë njëri nga gjyqtarët e Kosovës në kushte anonimiteti duke mos pranuar të flas për gjithë ato që ndodhën në javën e parë edhe pse e pranon se gabimet kanë ndodhur por ishin gabime që shohim shpesh edhe në kampionatet të ndryshme evropiane. Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani menjëherë pas javës së parë ka thënë se nuk është i kënaqur me paraqitjen e  gjyqtarëve duke paralajmëruar se gabime të tilla më nuk do të tolerohen dhe se në fushë do të zbresin vetëm gjyqtarët më të mirë, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Kodi i Etikës

Ankesat e mëdha që u bënë në ndeshjet e para në adresë të gjyqtarëve, sidomos nga klubet, Liria, Llapi, Trepça, Gjilani e Trepça’89, sipas njohësve të futbollit mund të merren edhe si një lloj presioni ndaj gjyqtarëve në mënyrë që në takimet e radhës ata të bien pre e tyre. Mirëpo, kjo nuk do të ndikojë te gjyqtarët, pasi ata tashmë janë mësuar me këto gjëra. E vetmja kërkesë e tyre nga Federata e Futbollit e Kosovës, është që ta “aktivizojë” Kodin e Etikës. “Federata duhet ta përdorë Kodin e Etikes, pasi nuk është në rregull që një zyrtar i FFK-së, të fyhet publikosh përmes medieve. Kjo po e prish edhe imazhin e futbollit”, ka thënë gjyqtari kosovar. Trepça’89 ishte skuadra që bëri befasinë më të madhe në javën e parë duke shënuar fitore përballë Gjilanit ne udhëtim, ani pse kishte dy futbollistë më pak në fushë, për shkak të kartonëve të kuq të dhënë nga gjyqtari Besfor Kosumi. Trepça’89, iu gëzua shumë fitores por në fund kritikoi arbitrin për kartonët, edhe pse duhet cekur se kohëve të fundit, Kosumi sikur njihet një gjyqtar me fat për Trepçën’89, pasi zakonisht kur ai gjykon kjo skuadër nuk mposhtet.

Javë e nxehtë

Dy skuadrat më me traditë në futbollin tonë, Liria e Prishtina do të përballën sot ndërmjet vete  në Prizren në kuadër të javës së dytë të Vala Superligës së Kosovës. Prishtina e nisi shumë mirë edicionin e ri duke shënuar fitore ndaj Llapit me rezultat 3:1 dhe me këtë synim udhëton edhe në Prizren. Në anën tjetër Liria, nuk mund të thuhet se ka start të mirë pasi përveçqë u mposht në Skenderaj nga Drenica, ajo la shumë për të dëshiruar në lojë, madje këtë e pranoi edhe trajneri Ramiz Krasniqi sipas të cilit disa mesfushorë nuk e dhanë më të mirën dhe se paraqitjet të tilla nuk do të tolerohen më. Ndeshja Liria – Prishtina është e vetmja që zhvillohet ditën e shtunë, derisa të dielën luhen pesë takime tjera, ku vëmendja do të jetë të sfida Gjilani – Feronikeli, dy ekipe që në hapje pësuan humbje dhe domosdo do të kërkojnë t’i kompensojnë pikët e humbura, por që natyrisht se dy fitues në këtë sfidë nuk do të ketë dhe kjo e bënë këtë sfidë shumë joshëse. 

Vala Superliga – Java e dytë

Sot

Liria – Prishtina

Nesër

Gjilani – Feronikeli

Trepça ’89 – Drita

Llapi – Trepça

Besa – Ferizaj

Hajvalia – Drenica

Të gjitha ndeshjet fillojnë në  ora 16:00.

(Kosova Sot)