Balotelli dhe vuajtja për të gjetur ekip

  • 27 August 2016 - 10:37
Balotelli dhe vuajtja për të gjetur ekip

Në një garë të varfër dhe “low cost” për të firmosur me sulmuesin italian Mario Balotelli, shtohet tashmë edhe emri i skuadrës së Nice-s. Sipas të përditshmeve franceze, pas Chievo-s, Bologna-s dhe Ajax-it, po interesohet fuqishëm edhe ekipi i rivierës transalpine, që me firmën e sulmuesit me ngjyrë mund të shtojë tifozët në stadium dhe mund të garantojë shpërthime, edhe pse me oshilacione, në repartin ofensiv, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Trajneri i formacionit që militon në Ligën e parë të Francës, Lucien Favre ka kërkuar me ngulm transferimin e Balotelli-t, duke i garantuar agjentëve të futbollistit një fillim të ri dhe të mbarë për karrierën e katandisur si mos më keq.

Pasi po cilësohet i ndarë në shtëpi te Liverpool-i që nuk e konsideron aspak, SuperMario duket se në moshën 26-vjeçare do ta nisë sërish nga zero për të synuar të grumbullohet sërish në kombëtare. Në një intrigë të afatit kalimtar ku po merret edhe me transferimin e Matuidi-t, superagjenti Mino Raiola ka kontaktuar dhe me Nice-n për të dërguar Balotelli-n në një ekip pa shumë pretendime, por që i garanton minuta loje. I vetmi problem madhor është çeku i majmë që merr SuperMario, e që vështirë se do ta gjejë në kampionatin francez.

(Kosova Sot)