Berat Gjimshiti drejt Gjermanisë

  • 27 August 2016 - 16:10
Berat Gjimshiti drejt Gjermanisë

Mbrojtësi shqiptar, Berat Gjimshiti, nuk po kalon një moment të mirë në kampionatin italian, me Atalantën, ndaj është pranë largimit. Sipas medias së specializuar italiane, “Tuttomercatoweb”, dy skudrat gjermane, Freiburg dhe Kaiserslautern, janë opsione për ish-lojtarin e Zyrihut. 23-vjeçari u transferua në merkaton e janarit nga zviceranët, por deri tani nuk ka arritur të gjejë një vend titullari. Si me trajnerin Edi Reja, edicionin e kaluar, ashtu edhe me Gasperinin, që ka marrë drejtimin e skuadrës së Seria A në qershor, mbrojtësi nuk është alternativë e parë.

Në ndeshjen hapëse të kampionatit italian, ndaj Lazios, 23-vjeçari nuk ishte pjesë e 23 futbollistve të thirrur nga tekniku. Gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio, raporton se mbrojtësi i kombëtares shqiptare mund të largohet nga Atalanta drejt Gjermanisë, duke parë se nuk preferohet nga stafi teknik. Nga Bundesliga ka shprehur interes Freiburg, skuadër me të cilën luan edhe Amir Abrashi. Po ashtu, interes ka shfaqur edhe Kaiserslauterni, që militon në Bundesliga 2.

Në rast se futbollisti vendos të transferohet te Kaiserslauterni, aty do të gjej shokun e kombëtares, Naser Aliji. Ditët në vijim, deri më 31 gusht, priten të jenë të nxehta për Gjimshitin, që është në dilemë për të ardhmen e tij. Interesimi nuk ka munguar as nga skuadrat italiane, Crotone dhe Avellino, që kanë bërë ofertë zyrtare për mbrojtësin kuqezi.

(Kosova Sot)