Shteti, futbollin e la në lloç

  • 28 August 2016 - 09:06
Shteti, futbollin e la në lloç

Kosova edhe pas ndërkombëtarizmit, mbetet me probleme të njëjta.

"E dhimbshme por është e vërtetë që institucionet nuk kanë bërë mjaft apo më mirë të them asgjë që pranimi ndërkombëtar të na gjejë të gatshëm. E kemi ditur se pranimi po troket dhe pas shpalljes së pavarësisë është dashur të caktohen njerëz për planifikim dhe zbatim të detyrave rreth avancimit e përmirësimit të kushteve në futboll, por kjo nuk ka ndodhur", ka thënë trajneri i mirënjohur, Afrim Tovërlani,raporton Gazeta Kosova Sot

Jemi në UEFA e FIFA, por asgjë nuk ndryshon nga koha kur ishim jashtë saj. Kushtet në futbollin tonë vazhdojnë të mbesin shumë të dobëta, derisa edhe organizimi, financat e mbi të gjitha infrastruktura lënë shumë për të dëshiruar. Sportistët për këtë i fajësojnë institucionet të cilat sikur e harruan që ekziston sporti, duke mos investuar fare, gjë e cila edhe bëri që pranimi të na gjejë të papërgatitur. Ishte shumë e dhimbshme t'i shohësh futbollistët tanë që ëndërr e kishin Ligën e Kampionëve e Ligën e Evropës, nuk arritën të prezantohen, kjo pasi për shkak të neglizhencës së shtetit nuk i plotë- suan kriteret për licencim në UEFA. Aq më e dhimbshme është se edhe popullit iu mohua mundësia që përfaqësuesen e shtetit ta shohin nga afër duke garuar në eliminatoret për Botërorin "Rusia 2018", pasi në mungesë të stadiumit Kosova, ndeshjet e saja duhet t'i zhvillojë jashtë vendit. Këta njerëz që sot e udhëheqin sportin tonë, dinë të krenohen kur sportistët arrijnë suksese dhe të fotografohet më ta, si në rastin e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Donjeta Sadikut, apo edhe klubit të basketbollit Prishtina, por që asnjëherë nuk u shkon ndërmend që paraprakisht këtyre sportistëve t'u krijohen kushte siç e meritojnë. Trajneri i mirënjohur kosovar, Afrim Tovërlani e pranon se shteti deri tash nuk ka bërë pothuaj asgjë që sporti të jetë aty ku duhet. Shteti në gjumë Futbollit tonë asnjëherë nuk i kanë munguar talentet dhe entuziastët, por deshëm apo jo ky futboll dhe kjo rini ka mbijetuar falë disa njerëzve të vullnetit të mirë e assesi të shtetit. Jemi dëshmitarë që sot shumë donatorë që dikur ishin pjesë e futbollit dhe investuan shumë kanë bankrotuar derisa shteti as që i përmend. E njëjta gjë po vazhdon edhe sot, klubet po mbahen fal donatorëve, derisa shteti ende vazhdon të mbetet në gjumë duke mos e krijuar ligjin për sponsorizim.

Njëri nga trajnerët më të suksesshëm në vendin tonë, Afrim Tovërlani që ka kaluar nëpër shumë peripeci dhe kohë të vështira të futbollit, e pranon se edhe pas pranimit avazi i vjetër vazhdon. "Edhe tash pas pranimit po shihet që shumë klube kanë vazhduar me të vjetrën dhe nuk po arrijnë të përmirësojnë gjendjen e tyre infrastrukturore dhe financiare. Në këtë rast duhet t'i kuptojmë ata që kanë ndihmuar dhe kontribuar deri tani por s'mund të mbeten klubet peng të tyre përgjithmonë. Duhet të gjinden mënyra për t'i ndryshuar gjërat sepse koha nuk pret", ka thënë "Toki". Futbollit i mungon shumëçka Nga edicioni i kaluar shpresohet shumë se klubet tona do të arrijnë të përmirësojnë gjendjen financiare dhe infrastrukturën në mënyrë që të prezantohen në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, tash për tash gjërat janë shumë larg pasi këtij futbollit i mungon shumëçka. Sipas Tovërlanit, ndryshime të mëdha duhet të bëhen nëse dëshirojmë që në një të ardhme ta afërt të krijojmë një skuadër si Shkëndija e Tetovës apo Skënderbeu i Korçës. "Futbollit tonë i mungon organizimi i mirë- filltë dhe i sinqertë, infrastruktura si dhe planifikimi e strategjia, sepse jo te gjitha klubet munden të bëjnë të njëjten strategji. Secili duhet të zgjedhë se cila mund t'i përgjigjet dhe të aplikojë në praktik. Gjithsesi, tash për tash kemi shumë llafe e pak vepra. Fatkeqësisht", ka përfunduar Afrim Tovërlani.

(Kosova Sot)