Pa shifra nga KOK-u

  • 28 August 2016 - 09:11
Pa shifra nga KOK-u

Krenohen me suksesin e Majlindës.

Mbi 60 zyrtarë të Kosovës ishin në Lojërat Olimpike "Rio 2016", derisa Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ende nuk ka nxjerrë të gjitha shpenzimet e kësaj ekspedite. KOK-u është arsyetuar edhe për numrin e madh të delegacionit kosovar në Rio, si dhe pse medieve nuk u kanë dërguar informata nga Rio ,raporton gazeta Kosova Sot

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) lavdërohet me suksesin e Majlinda Kelmendit të arritur në Rio. Por, në Kosovë kishte shumë debate për numrin e madh të delegacionit kosovar, ku shumë prej tyre nuk dihej se çfarë misioni kanë dhe sa kanë shpenzuar total në Rio. Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani ka dhënë arsyetime për të gjitha këto, por pa dhënë shifra se sa në tërësi ka kushtuar kjo ekspeditë. Gjithashtu gazetarët e medieve të ndryshme u ankuan që nuk kishte informata nga Rio. Edhe për këtë kishte arsyetime, por askush nuk jep përgjegjësi.  

Arsyetimet për numrin e madh të delegacionit kosovar Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka folur në tërësi për Lojërat Olimpike, ku Kosova u përfaqësua për herë të parë. "Ne jemi të kënaqur me pjesë- marrjen tonë. Fillimisht dy xhudiste kanë udhëtuar me normë olimpike dhe mbi 100 shtete nuk arrijnë normë. Majlinda Kelmendi arriti të fitojë medaljen e artë, duke e radhitur Kosovën në vendin e 54-të në botë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Gjithashtu Nora Gjakova garoi e lënduar dhe kaloi një rreth, kurse Vijona Kryeziu theu rekordin personal, që është një sukses tjetër. Pra, në përgjithësi jemi të kënaqur me pjesëmarrjen tonë të para dhe medaljen e fituar nga Majlinda", deklaroi Hasani në konferencën për media të shtunën. Ai më pas u pyet edhe për numrin e madh të zyrtarëve të Kosovës në Rio. "Kjo ka qenë hera e parë që marrim pjesë në një ngjarje kaq madhore dhe disa kanë udhëtuar me shpenzime të KOK-ut, disa të Federatave Ndërkombëtare, kurse disa kanë qenë nga Presidenca e Kosovës dhe Qeveria. Ne nuk i kemi mbuluar ato shpenzime. I tërë Bordi i KOK-ut ka qenë në Rio. Ky ka qenë një rast historik për shtetin tonë, derisa gjithashtu anëtarët e Bordit kanë mundur të fitojnë shumë përvojë në një ngjarje kaq të madh. Misioni i tyre nuk ka qenë vetëm të përcillen garat e sportistëve, por edhe të fitojnë përvojë, në mënyrë që të jemi më të përgatitur në Lojërat Olimpike të ardhshme. 18 nga zyrtarët tona kanë udhëtuar me ekipin e Turqisë, që ka qenë një ndihmesë e madhe. Gjithashtu disa shpenzime të tjera janë mbuluar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe kemi gjetur forma të ndryshme të financimit", theksoi më tutje Hasani. Misioni i Bordit në Rio Ai u pyet pse disa prej anëtarëve të Bordit udhëtuan në Rio pas përfundimit të garave për sportistët kosovarë dhe pse ekipi i xhudos u kthye një javë më herët se delegacioni tjetër, edhe pse arritën sukses të jashtëzakonshëm. "Ekipi i xhudos ka vendosur që të kthehet një javë më herët. Por, sportistët e vendeve të tjera kanë qenë nga 1 deri më 24-25 gusht. Përveç ceremonisë hyrëse, është edhe ajo mbyllëse, andaj është dashur që të ketë edhe sportistë të Kosovës në mbylljen e Olimpiadës. Sa i përket Bordit, misioni i tyre nuk ka qenë vetëm t'i përcjellin garat e sportistëve kosovarë, por edhe të fitojnë përvojë", shtoi më tutje i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Por, përkundër se ishte një numër i madh i delegacionit të Kosovës në Rio, ku shpenzimet janë natyrisht të mëdha, nuk është bërë e ditur se sa është shuma e shpenzuar. "Ende nuk i kemi bërë llogaritë e përgjithshme, pasi ka qenë një kohë e shkurtë. E ceka se shpenzimet janë mbuluar në forma të ndryshme. Kemi pasur ndihmë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, gjithashtu nga ekipi olimpik i Turqisë. Po ashtu disa kanë qenë të ftuar nga Federatat Ndërkombëtare dhe nga disa fonde tjera. Ky ka qenë një rast unik për ne dhe është arsyetuar pjesëmarrja e një numri kaq të madh në Rio", theksoi Hasani. 

(Kosova Sot)