A dështoi FFK-ja në rastin e yjeve?

  • 29 August 2016 - 10:09
A dështoi FFK-ja në rastin e yjeve?

Opinioni sportiv në Kosovë vazhdon të ndihet i zhgënjyer pas lajmit që mori se yjet kosovare, që luanin me Përfaqësuesen e Zvicrës, janë përcaktuar të mbeten "helvetikë", duke i thënë në këtë mënyrë jo Kosovës. Menjëherë pas kësaj kanë filluar akuzat në adresë të tyre e të cilat ishin bukur të mëdha, madje deri në atë masë sa i etiketuan edhe si tradhtarë. Megjithatë, kjo histori duket se ka edhe anën tjetër. Federata e Futbollit e Kosovës dhe vetë lojtarët tash për tash kanë zgjedhur rrugën më të keqe për të komunikuar me opinionin - heshtjen. Përkundër bujës së madhe që bëri refuzimi i tyre, nga të dyja taborët ende nuk kanë dalë me deklaratë zyrtare se çfarë në të vërtetë ndodhi, duke bërë kështu që të dyshohet shumë edhe në punën e FFK-së, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pra, derisa FFK-ja nuk del ta thotë të vërtetën e gjithë kësaj historie, spekulimet nuk do të mungojnë. Ajo që është e sigurt, dhe se duhet thënë, është se stafi i vogël në federatë, por edhe mosafrimi i njohësve të mirë të kësaj lëmie, bënë të dyshohet se megjithatë FFK-ja në rrugëtimin për afrimin e yjeve dhe "luftës" me FIFA-n për ta, ka hyrë e papërgatitur, gjë të cilën e shfrytëzoi Zvicra, e cila duket se ka lobuar shumë për t'i ruajtur lojtarët e vet. Sigurisht që kjo në asnjë mënyrë nuk e arsyeton vendimin e yjeve, të cilët duket se kërkuan siguri nga FFK-ja, e cila në këtë situatë ishte e kuptueshme se nuk mund t'u ofrojë, dhe pikërisht këtu nisën dilemat e mëdha. Por se vërtet shumë gjëra kërkohet të sqarohen, dëshmon edhe deklarata e mëhershme e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, i cili në një emision sportiv në RTK pati thënë se Adnan Januzaj i ka thënë po Kosovës. Në anën tjetër stafi i Përfaqësueses së Kosovës u deklarua se Januzaj fare nuk ka kontaktuar me Kosovën!

Fetahu: Yjet "patriotë falsë"

Përderisa FFK-ja po hesht në këtë çështje dhe duket se po e pret përfundimin komplet të procedurave para se të deklarohet, u ka mbetur njohësve të futbollit të deklarohen në këtë situatë e që natyrisht se kompetenca e tyre nuk është shumë e madhe. Njëri nga ish-futbollistët e mirënjohur tash menaxher, Enis Fetahu, i cili sipas burimeve tona po e ndërmjetëson prurjen e Besart Berishës te Kosova, dhe e kjo e bën atë të jetë në rrjedha sesi po shkojnë punët, ka thënë se ndihet i dëshpëruar sesi në ekip nuk do t'i kemi, Xhakën, Behramin e Shaqirin, por që, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk duhet fajësuar FFK-ja për këtë dështim. "Jeta është bërë interesa dhe këta djem duket se interesin e kanë vu para kombit. Kur e do vendin tënd e len edhe Brazilin e Spanjën e lëre më kombëtaren ku kanë luajtur. Pra, ata janë treguar patriotë fals dhe asgjë tjetër. Unë në asnjë mënyrë nuk e akuzoj federatën në këtë rast", ka thënë Fetahu.

Paralajmërohen risi

Pretendimeve se FFK-ja nuk ka ofruar siguri, siç theksojnë familjarët e futbollistëve, nuk u beson Enis Fetahu, ai thotë se FFK-ja ka punuar aq sa është dashur, edhe pse këtij institucioni sipas tij i mungon stafi dhe se domosdo duhet të intervenohet në këtë aspekt. "Jam shumë i dëshpëruar me refuzimin që i bën Kosovës. Ne nuk duhet tash të mendojmë më për ta, por ta shikojmë Kosovën, e cila besoj se do të jetë e fortë edhe pa ta. Shumë shpejt do të vinë lajme të forta për Kosovën", ka thënë Fetahu, duke mos treguar shumë detaje, por ajo që mëson gazeta është se bëhet fjalë për sulmuesin më të mirë në Australi, Besart Berisha, i cili sipas të gjitha gjasave do t'i bashkohet Kosovës. Berisha kishte shprehur dëshirë ta ndihmojë edhe Shqipërinë në Evropian, por ishte De Biasi ai që ia mbylli derën, duke i preferuar disa lojtarë të tjerë.

(Kosova Sot)