Mungesa e mjeteve rrezikon shkuarjen në Kampionatin Evropian

  • 29 August 2016 - 13:18
Mungesa e mjeteve rrezikon shkuarjen në Kampionatin Evropian

Më 1 shtator është paraparë që nëntë automobilistë tanë të udhëtojnë për në Ilirska Bistricë të Sllovenisë, për të marrë pjesë në një garë mjaft atraktive, e vlefshme për Kampionatin Evropian.

Mirëpo, shkuarja e automobilistëve tanë është vënë në dyshim, për shkak se Federata e Auto Sportit e Kosovës nuk ka mundësi financiare të mbulojë këtë aktivitet, ndërkohë që mjetet që do të duhej t’i kishte në dispozcion qysh më herët ende nuk janë alokuar nga Departamenti i Sportit i Kosovës.

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është shprehur i zhgënjyer me situatën e krijuar. “Jam i zhgënjyer me qasjen e Departamentit të Sportit  në raport me kryerjen e obligimeve ndaj Federatës sonë.  Sipas marrëveshjes së nënshkruar, tani është koha të marrim këstin e tretë të mjeteve, ndërsa ne e kemi marrë vetëm këstin e parë, derisa tash e dy muaj kemi pasur vetëm premtime boshe”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se, si pasojë e kësaj qasjeje rrezikohet shkuarja në Slloveni: “Në fillim të vitit ne e kemi dorëzuar një plan të aktiviteteve dhe deri tani e kemi realizuar rreth 80 për qind. Mirëpo, tani kemi ardhur në një situateë tejet të palakmueshme dhe pyetja për DSK-në është se, kush duhet të japë përgjegjësi në rast dështimit të pjesëmarrjes sonë në këtë garë. Cila do të ishte përgjigja për automobilistët tanë, të cilët kanë investuar me qindra mijëra euro për përgatitjen e veturave, duke marrë parasysh se bëhet fjaë për një garë të nivelit shumë të lartë“, thuhet në njoftimin e FASK-ut, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Lidhur me këtë çështje, drejtori i DSK-së, Ibër Alaj, ka thënë se problem qëndron në vonesën e alokimit të buxhetit nga ana e Ministrisë së Financave. “Është e vërtetë se disa federatave nuk u janë ndarë mjetet e parapara dhe kjo ka ndodhur për shkak të vonesës së alokimit të buxhetit nga Ministria e Financave”, ka theksuar Alaj, i cili i pyetur se kur pritet të bëhet ndarja e këtyre mjeteve, është përgjigjur: “Kjo nuk varet nga ne, prandaj nuk mund të flasim me data, por në momentin që Ministria e Financave e bën alokimin e buxhetit, ne do ta kryejmë punën tonë ndaj federatave, sigurisht edhe ndaj Federatës së Auto Sportit”.

Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata  e Auto Sportit do të ndihmohet me  61 mijë euro, të cilat do t’i ndahen në katër këste, ndërsa deri tani kjo federatë e ka marrë vetëm këstin e parë prej 15.250 eurosh.

Në garën në Ilirska Bistricë, e cila zhvillohet më 3 e 4 shtator, është paraparë të marrin pjesë: Shkëlzen Lajçi, Përparim Dushi, Bardhyl Canolli, Alban Berisha, Bujar Gola, Arbër Rexhepi, Valdet Kaçandolli dhe Valdet Krasniqi, ndërsa së bashku me ta do të jenë edhe një ekip i TV Klan Kosova si dhe zyrtarët e FASK-ut. 

(Kosova Sot)