Kushte të vështira për notarët

  • 29 August 2016 - 13:50
Kushte të vështira për notarët

Shumëkush u krenuan me pjesë- marrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike. Tetë sportistë morën pjesë, kurse Majlinda Kelmendi arriti të artën. Por, shumë pak prej tyre e dinë se me çfarë kushte ballafaqohen sportistët kosovarë. Derisa atletët u ankuan se iu mungon infrastruktura dhe kushtet financiare, me këto probleme ballafaqohen edhe notarët. Në Kosovë nuk ka pishinë olimpike, kurse notarët stërvitin nëpër pishina private. Madje, notarët jo vetëm që nuk përfitojnë të mira materiale nga ky sport, por duhet të japin nga xhepi i tyre. Një notar duhet të paguajë një mijë euro në vit për stërvitjet, e kjo shumë shkon deri në dy mijë euro, shkruan gazeta Kosova Sot.

Mungesa e pishinës olimpike

Sekretari i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Astrit Haliti tregon për problemet me të cilat ballafaqohen. "Fillimisht na mungon një pishinë olimpike. Mungesa e kësaj pishine po na vështirëson shumë punët. Notarët stërvitin në pishina olimpike dhe kjo natyrisht se iu shkakton shumë telashe. Në Prishtinë nevojitet që urgjentisht të ndërtohet një pishinë olimpike, por edhe një kompleks sportiv me pishina tjera përreth që nuk do të ishin olimpike, por me standarde evropiane dhe ku kushtet do të ishin shumë më të mira. Infrastruktura është njëra nga problemet më të mëdha në sportin e notit", ka thënë Haliti për "Kosova Sot". Ai shton më tutje, se për këtë problem të gjithë kanë nga pak faj. "Një fjalë e urtë popullore thotë se 'faji është jetim'. Nëse më pyet a kanë faj komunat do të thosha që kanë pak, nëse më pyet a ka faj Ministria e Sportit, atëherë do të thosha ka pak. E gjithë shoqëria duhet të bëjë më shumë", ka shtuar më tutje sekretari i FNK-së.

1-2 mijë euro në vit për stërvitje

Por, notarët kosovarë jo vetëm që nuk përfitojnë të mira materiale, por duhet të japin nga xhepi i tyre një shumë të konsiderueshme parash. "Përfitime materiale nuk ka nga ky sport. Madje, një notar harxhon njëmijë euro në vit për stërvitje, pasi klubet nuk kanë mundësi që t'i paguajnë shpenzimet e tyre. Shpenzimet mund të shkojnë deri në dymijë euro. Kjo për është për nivelin e parë. Përfitime kanë nëse arrijnë suksese shumë të mëdha, kurse një ndihmesë e madhe për dy notarët kosovarë kanë qenë bursat olimpike, që për kushtet në Kosovës nuk janë pak", theksoi Haliti. Noti jo rastësisht është cilësuar si sporti më i shëndetshëm për trupin. "Shteti duhet të bëjë më shumë për sportin e notit. Ky sport nuk është vetëm për notarët, por edhe për gjithë, sidomos për fëmijët. E kemi parë se këtë vit disa fëmijë janë mbytur pikërisht për shkak të këtij problemi. Sikur të dinin notin do të ishte më ndryshe. Pra, shteti duhet të bëjë më shumë për këtë sport", nënvizoi ai. Në Lojërat Olimpike "Rio 2016", Kosova u përfaqësua me Lum Zhavelin dhe Rita Zeqirin. Ata ishin shkuar me ftesa speciale, derisa ishin larg zonës së medaljeve. "Sa i përket rezultateve në Lojërat Olimpike është shumë vështirë. Në Olimpiadën e ardhshme ndoshta mund të arrijmë norma olimpike, por është shumë vështirë dhe duhet shumë punë. Kurse nëse punohet vazhdimisht, atëherë pas tetë vjetësh mund të flasim për rezultate pozitive. Me këto kushte që kemi, është e vështirë të flasim për rezultate në Lojërat Olimpike, apo garat tjera cilësore, siç janë Kampionatet Evropiane e Botërore", përfundoi Astrit Haliti.

(Kosova Sot)