Faji i procedurave, projekti larg realizimit

  • 30 August 2016 - 09:49
Faji i procedurave, projekti larg realizimit

Në Bërnicë në afërsi të Prishtinës ishte parashikuar që të ndërtohej stadiumi kombëtar i Kosovës në futboll, një palestër moderne, shtigje të atletikës, pishinë olimpike, shtëpia e federatave, një hotel dhe një qendër tregtare. Por, ky projekt madhështor deri më tani ka mbetur vetëm në letër. Për shkak të shumë procedurave, projekti ndodhet vetëm në fazën, që duket se është më e vështira. Parcela prej 14 hektarësh ndodhet në pronësi të Ministrisë së Brendshme dhe të kalojë në atë të Ministrisë së Sportit. Pas kryerjes së të gjitha procedurave, atëherë do të shkohet në faza tjera, e projekti në tërësi ende nuk dihet se kur do të përfundojë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shumë procedura

Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ibër Alaj ka thënë se fillimisht duhet të merret vendimi për parcela, e më pas të vazhdohet me procedura të tjera. "Fillimisht duhet të merret vendimi për parcelën në Bërnicë. Ne kemi shtruar kërkesën që kjo parcelë të kalojë në pronësi të Ministrisë së Sportit. Gjithashtu edhe prej Komunës së Prishtinës po presim disa dokumente dhe kur të kompletojmë të gjitha dokumentet, atëherë projekti do të shkojë në Qeverinë e Kosovës, e më pas të fillohet me implementimin e projektit. Pra, ne jemi vetëm në fazën e parë. Ende nuk dihet se kur do të fillojnë punimet, pasi duhet të shohim se sa kohë do të marrin procedurat. Ka shumë procedura dhe kur të kompletohen të gjitha dokumentet, do të vazhdojmë me faza të tjera. Jemi brenda afatit kohor dhe ne po bëjmë të pamundurën që të gjitha dokumentet t'i kompletojmë sa më shpejt. Duhet pastaj të shikohet edhe nëse dikush ka prona aty, e kur të sqarohet gjithçka do të vazhdojmë më tutje", ka thënë Alaj për "Kosova Sot".

Projekt nacional 

Kur të realizohet në tërësi ky projekt, pa dyshim se do të ishte më i madhi në sport deri më tani në Kosovë. Kostoja e projektit në tërësi ende nuk dihet sesa do të kushtojë, pasi varet nga shumë faktorë. "Ky është një projekt shumë i madh dhe afatgjatë. Është projekt nacional dhe ende nuk e dimë sesa do të kushtojë. Duhet të bëhet identifikimi i pronës për të vazhduar me procedura të tjera. Është paraparë të ndërtohet stadiumi kombëtar, pastaj një palestër moderne, pishinë olimpike, shtigje të atletikës, një hotel, një qendër tregtare e kështu me radhë. Varet edhe nga donacionet dhe ndihmat që do të kemi. Mund të kushtojë 100 milionë euro. Ndoshta më shumë, ndoshta edhe më pak. Pra, ka shumë faktorë dhe pa përfunduar fillimisht procedurat nuk mund të vazhdojmë me faza të tjera. Është një projekt i madh, që sigurisht se do shumë kohë", theksoi tutje Alaj. Edhe këshilltari në Ministrinë e Sportit, Muharrem Sahiti deklaroi se duhet të ndjekin të gjitha procedurat për të vazhduar me faza të tjera. Sipas tij, Ministria e Sportit po bën të pamundurën që kjo të rregullohet sa më shpejt. 

(Kosova Sot)