Ylli i ri në Formula 1

  • 30 August 2016 - 09:56
Ylli i ri në Formula 1

Ai është shumë i shpejtë, shumë i ri dhe me besim të jashtëzakonshëm te aftësitë e tij. Garat e tij janë gjithmonë në kufijtë e së pamundurës, duke u kujdesur shumë pak për atë çfarë bën, por e di mirë se çfarë bën. E sigurisht që është një pilot i madh për Formula 1. Max Verstappen mund të mos ketë fituar shumë shokë mes pilotëve të tjerë, veçanërisht ata të Ferrari-t, por agresiviteti i tij, garimi i palëkundshëm dhe pa frikë janë mjaftueshëm të kënaqshme dhe të mrekullueshme për fansat e sportit numër një të automobilizmit, shkruan gazeta Kosova Sot.

Holandezi 18- vjeçar është më i riu që ka fituar një garë dhe që është nisur nga vija e parë. Fernando Alonso, Kimi Raikkonen dhe Jenson Button janë që të tre mbi të 30-at. Edhe pse tri herë kampioni i botës Lewis Hamilton është qartësisht në kulmin e performancave të shkëlqyera, si dhe shoku i tij i skuadrës te Mercedes-i, Nico Rosberg, i cili mbetet gjithsesi kompetitiv, të dy këta janë 31 vjeç.

Po i jep freski këtij sporti

Statusi i një ylli në shkëlqim i Verstappen-it tërhoqi mbi 20 mijë fansa holandezë në Çmimin e Madh të Spa Francorschamps në Belgjikë gjatë fundjavës së kaluar. Turma të tëra tifozësh të veshur portokalli mësynë portat e hyrjes, ndërsa flamujt e Holandës dukeshin qartë në të gjitha tribunat e tifozëve. "Ai po i jep një freski këtij sporti. Është një djalosh i ri dhe më pëlqen shumë", është shprehur kreu i Mercedes-it, Toto Wolff. "Ai ka ardhur këtu pa frikë, pa respekt. Ai nxjerr bërrylat, si të jetë duke thënë që këtu duhet të ketë vend edhe për mua, ndaj dhe më kujton emrat më të mëdhenj të këtij sporti. Më kujton Hamilton-in e pak viteve më parë, por sigurisht më kujton edhe Ayrton Sennan". Lavdërimet e shumta nga Wolff lënë të nënkuptohet shumë për këtë talent, por ai mund të kishte shtuar edhe faktin që Verstappen ka pak edhe nga ashpërsia që karakterizonte shtatë herë kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher. Wolff nuk harroi të shprehte keqardhjen, që Mercedes-i nuk mundi ta rrëmbente Verstappen-in përpara se këtë gjë ta bënte Toro Rosso vitin e kaluar. "Qartësisht mund të vëresh se disa prej pilotëve të tjerë janë duke u menduar dy herë për ta parakaluar atë", thotë Wolff, përpara se të shtonte edhe një notë kritike në lidhje me garimin tepër të rrezikshëm të Verstappen-it. "Kam frikë vetëm se ai mund të përfundojë përballë ndonjë muri një ditë. Për mua është thjesht një rifreskim i së kaluarës, por mbetet pilot i rrezikshëm".

Talent i jashtëzakonshëm 

Në maj, Verstappen-i bëri një garë të shkëlqyer në Çmimin e Madh të Spanjës, ndërsa në debutimin e tij me Red Bull-in arriti të fitonte edhe garën e parë në këtë vend. Tashmë, pas atij suksesi, ai ka arritur të ngjitet edhe tri herë të tjera në podium. Në Çmimin e Madh të Belgjikës, renditja si i dyti në provat zyrtare shënon një tjetër rekord si piloti më i ri që nis një garë nga vija e parë e garimit. Talenti i tij është i padiskutueshëm, por sjellja e tij është e tillë, ndërsa në qarqet e Formula 1 ekziston ndjenja se mosha e re e Verstappen-it bën që ai të tentojë gjëra që pilotët e tjerë nuk do t'i bënin. "FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) nuk e ka penalizuar atë. E vetmja gjë që ndodhi është se ai u kritikua disi", tha Wolff. "Ndoshta herën tjetër ai do të ketë një seancë edhe më kritike". E këtë herë, ndoshta prej Raikkonen-it dhe shokut të tij të skuadrës së Ferrari-t, Sebastian Vettel.

(Koova Sot)