Kuqo i thotë lamtumirë koshit!

  • 31 August 2016 - 17:19
Kuqo i thotë lamtumirë koshit!

Pas plot 23 vjetësh në basketbollin e luajtur, Ermal Kuqo ka vendosur zyrtarisht të tërhiqet. Në moshën 36 vjeçare, i fundit i dinastisë Kuqo, basketbollisti shqiptar që ka shënuar arritjet më të mëdha në këtë sport, vendos ta ndërpresë karrierën e tij si sportist, për t’ju përkushtuar impenjimeve të reja, si manaxher basketbolli.

Ka mjaftuar një foto në rrjetet sociale dhe disa sms mes miqsh të ngushtë, për një largim që nuk do ta kishte dëshiruar, edhe pse është i detyruar nga mosha. Një largim pa zhurmë i Kuqos, që kurrë nuk u çirr kur preku majat e këtij sporti, por mbretëroi me modestinë dhe altruzimin e tij.

Ishte ende fëmijë, kur Ermali, vijoi të ndiqte gjurmët e babait Robert dhe xhaxhit të tij Artan Kuqo, dy emra të njohur të Partizanit të artë në basketboll. Vetëm 13 vjeç dhe me një gjatësi 2.03 Kuqo u bë pjesë e ekipit të parë të Tiranës, ku spikati me aftësitë e tij. Pa mbushur ende 15 vjeç, Kuqo mori ftesën nga Turqia për t’u bërë pjesë e ekipit të Fenerbahçes, ku mësoi dhe rrit shumë profesionalist. 

Në moshën 18 vjeçare Kuqo luan në Euroligë dhe për dy vjet transferohet në kolegjin e Kasas Sitit, ku pati mundësinë që të bëhet pjesë e “summer league” të NBA, me skuadrat e Hjuston Rokets dhe Detriot Pistons.

Pa mundur të kalojë pragun e NBA, Kuqo rikthehet në Evropë, ku nis një karrierë të gjatë dhe shumë të suksesshme, fillimisht ne Kroaci dhe Slloveni, e më pas në Turqi, ku ju bashkua skuadrës së Efes Pilsen, me të cilën ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. 

Në vitin 2004, në mungesë të përfaqësueses shqiptare të basketbollit, Kuqo pranoi ftesën nga Turqia, për tu bërë pjesë e ekipit kombëtar, më të cilin luajti një evropian në vitin 2005 dhe një botëror në vitin 2006 në Japoni. 

Në vitin 2010, Kuqo u bë promotor I rikrijimit të kombëtares shqiptare të basketbollit dhe i kërkoi personalisht FIBA-s të largohet nga Turqia. Në vitin 2011 ai zhvilloi një fazë eliminatore të shkëlqyer me Shqipërinë, me një mesatare 19 pikësh për ndeshje. 

Vitet e fundit ai i luajti në kampionatin turk edhe mbylli edhe karrierën e tij si basketbollit, por bashkëjetesa me sportin e koshit do të vazhdojë. Los Anxhelos Klipers në NBA i ka ofruar rolin e manaxherit dhe ai do të përzgjedhë talentet që mund të luajnë në NBA për llogari të Klipers, shkruan tch.

Kuqo është padyshim basketbollisti më i suksesshëm në të gjitha viset shqiptare.

(Kosova Sot)