Prishtina nuk e bën hesap as Feronikelin

  • 25 September 2016 - 09:26
Prishtina nuk e bën hesap as Feronikelin

Elita e futbollit nis t'i deshifrojë skuadrat e forta

I rikthyeri te Prishtina, futbollisti i njohur Debatik Curri, i ka dhënë skuadrës kryeqytetase tri pikë shumë të vlefshme me golin e shënuar në derbin e stinorit ndaj Feronikelit, i cili u mbyll me rezultat 1:0

Prishtina e ka shumë seriozisht. Pas tri viteve pa titull të kampionit, skuadra kryeqytetase është mobilizuar maksimalisht, që sivjet në Prishtinë të sjellë trofeun e kampionit. Ani pse deri në fund të kampionatit ka ende shumë gjëra për t'u bërë, me formën dhe lojën që po tregon Prishtina në këtë start të garave, vështirë se do të mund dikush ta ndalë. Prishtina dje e ka mposhtur edhe Feronikelin, njërin nga rivalët kryesorë, në rrugëtim për titull. Këtë fitore të bardhekaltërve më madhështore e bën fakti se ata i mposhtën kampionët në shtëpi të tyre. Sido që të jetë përballja e djeshme e Feronikelit dhe Prishtinës, ashtu siç ishte paralajmëruar si një derbi i nxehtë, ashtu edhe doli, edhe pse pakkush, për të mos thënë askush nuk kishte befasuar se atë do ta vendosë një gol dhe ai i shënuar qysh në minutën e gjashtë. Ishte i rikthyeri te Prishtina, futbollisti i njohur Debatik Curri ai që shënoi gol dhe i dha tri pikë skuadrës së tij, të cilat në fund të kampionatin mund të luajnë rol vendimtar. "E kemi pasur taktikën në pesë minutat e parë në fillim dhe në të pesë minutat e parë të pjesës së dytë të kërkojmë golin. Në të parën shënuam, në të dytën patëm një rast të mirë. Pavarësisht kësaj, duhet të përmirësohemi në lojë. Edhe një herë komplimente në çdo aspekt Feronikelit. Do të tentojmë ta ruajmë vendin e parë, por ne duhet t'ju themi shikuesve se duhet të punojmë shumë", ka thënë trajneri i Prishtinës, Lutz Lindemann, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prishtina "tronditë" herët

Ndeshja nisi me ritëm të lartë. Feronikeli si nikoqir i ndeshjes, ishte e qartë se do ta kërkojë fitoren qysh nga minuta e parë, por ja që ndodhi e kundërta. Ishte Prishtina ajo që e nisi vrullshëm ndeshjen dhe pas vetëm 6 minutave lojë ajo e gjeti golin duke e heshtur stadiumin "Rexhep Rexhepi", në të cilin ishin mbledhur rreth 5 mijë shikues. Curri pas asistimit të Mërgim Pefqelit, bukur iu shmang mbrojtësit të "Niklit", Fidan Gërbeshit për të shënuar mjeshtërisht në portën e Flamur Nezirit, gol ky që edhe doli të jetë vendimtar. Pas shënimit, vendasit e rritën presionin dhe më shumë bënin trysni drejt portës së Prishtinës, por asnjëherë deri në atë masë sa të rrezikojnë seriozisht, madje në këtë periudhë as që u shënua ndonjë gjuajtje në korniza të portës. Kjo dëshmonte qartë se Prishtina është shumë mirë e organizuar dhe di ta ruajë epërsinë.

Pjesa e dytë e nxehtë

45 minutashi i dytë ka sjellë një lojë edhe më të fortë dhe në moment edhe situata të nxehta, pasi ritmi i lojës ishte shumë i shpejtë dhe ndërhyrjet e lojtarëve nganjëherë ishin të ashpra. Sido që të jetë gjyqtari Fatmir Tahiri mirë arriti ta mbajë nën kontroll ndeshjen. Feronikeli në periudhën e dytë disa herë iu afrua golit, por që duhet thënë se këtë herë Prishtina ishte me fat. Gjithsesi, edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Prishtinën, pasi në minutën e 47-të, sulmuesi Khalid pati një mundësi të artë, por gjuajtjen e tij me kokë e ndali portieri Neziri. Feronikeli iu ka afruar golit në minutën e 58-të, por Bujar Shabani nga afërsia nuk shënon. Në vazhdim edhe Zhdrella disa herë rrezikoi nga gjuajtjet e lira, por portieri Alban Muçiqi ishte shumë i vëmendshëm, duke mos lejuar asnjëherë topi të kalojë atë, për të prekur rrjetin dhe në këtë mënyrë për t'ia mundësua Prishtinës tri pikë shumë të vlefshme. Pas kësaj fitoreje, Prishtina rikthehet në pozitën e parë me 16 pikë, me plot 7 pikë më shumë sesa Feronikeli. "Patëm raste të qindpërqindta, tri-katër herë topi kaloi rreth vijës së portës. Goli i hershëm dhe provokimet e lojtarëve me përvojë të Prishtinës, ndikuan tek lojtarët tanë. Ata patën shumë fat, zhagitje, nuk po mundem t'i kuptoj pse kaq shumë zhagitje një klub si Prishtina. Është vetëm java e gjashtë, ka shumë ndeshje për t'u luajtur. Prishtinën nuk mund ta përcjellë fati deri në fund të kampionatit, e pamë se si shpëtoi nga Gjilani në minutat shtesë, pastaj nga Liria dhe tash në Drenas", ka thënë Afrim Tovërlani.

(Kosova Sot)