Pa fitues në ‘Artemio Franchi’

  • 25 September 2016 - 22:47
Pa fitues në ‘Artemio Franchi’

Fiorentina dhe Milani kanë ndarë pikët në takimin e fundit të ditës së diel të xhiros së gjashtë të Series, duke barazuar pa gola. Në ndeshjen e luajtur në Artemio Franchi, dy skuadrat e mëdha italiane nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e golit deri në fund të takimit.

 

Pjesa e parë e takimit ishte thuajse e barabartë, por me vendasit që ishin për një nuancë më të mirë. Rasti i parë i këtij takimi u shënua nga Fiorentina, anësori i saj Federico Bernardeschi rrezikoi portën e Donnarummas, por pa sukses.

Edhe rasti më i mirë i kësaj pjese i takoj vendasve të cilët patën mundësinë reale të kalojnë në epërsi në minutën e 23-të, pasi mbrojtësi i ri i Milanit, Davide Calabria shkaktoi penallti. Megjithatë, mesfushori slloven, Josip Ilicic ishte i pasaktë, duke goditur shtyllën pingule dhe duke ia mohuar golin skuadrës së tij.

 

Pjesa e dytë e takimit ishte edhe më e baraspeshuar se e para, duke bërë që skuadrat të kërkojnë golin me anë të gjysmë rasteve. Por, përkundër rasteve të Giacomo Bonaventuras (51’) e Susos (63) për Milanin dhe Nikola Kalinicit (80’) rrjetat mbeten të paprekura dhe kështu skuadrat përfunduan ndeshjen me rezultat të bardhë 0-0.

 

Pas kësaj ndeshje, Milani renditet e gjashti me dhjetë pikë dhe në xhiron e ardhshme e pret Sassuolon, teksa Fiorentina renditet e 11-ta me tetë pikë dhe në takimin e ardhshëm do të përballet me Torinon.

 

(Kosova Sot)