Conte përgatit revolucionin në formacion

  • 26 September 2016 - 15:15
Conte përgatit revolucionin në formacion

Chelsea pësoi një disfatë të rëndë në derbin londinez me Arsenalin, duke konfirmuar se shtatori është një muaj ferri për “blutë” e Londrës. Skuadra e Antonio Contes e ka shënuar suksesin e fundit pikërisht më 27 gusht ndaj Burnleyt. Pas kësaj date, Chelsea ka humbur dy ndeshje dhe ka barazuar një, gjë që ka ndezur sinjalet e alarmit.

Duke parë këtë situatë, Conte ka vendosur të bëjë ndryshime të mëdha në formacion. Sipas asaj që publikohet në median angleze, ata që rrezikojnë më shumë që të përfshihen në revolucionin e trajnerit italian janë Ivanovic dhe Cahill, me këtë të fundit që është vënë në shënjestrën e kritikave të mëdha, pas gafës së tij në një prej golave të shënuar nga Arsenali.

Nuk e ka të sigurtë vendin në formacion as David Luiz, që këtë verë u kthye në Londër pas një periudhe që kaloi te Paris Saint Germain. Shpresat e Contes janë te rikthimi i Terryt, që duket se është një siguri për prapavijën e Chelseat, pavarësisht moshës 35-vjeçare. Në të njëjtën kohë pritet edhe riaftësimi i plotë nga dëmtimi i Zouma, për të provuar një dyshe tjetër qendërmbrojtësish për sfidat e radhës.

(Kosova Sot)