Skënderbeu zhvlerëson Kupën, në Sarandë me rezervat dhe të rinjtë

  • 26 September 2016 - 21:38
 Skënderbeu zhvlerëson Kupën, në Sarandë me rezervat dhe të rinjtë

Ekipi i Skënderbeut i ka dhënë rëndësi parësore kampionatit dhe nuk do të shpenzojë lojtarët e tij më të rëndësishëm për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në mesjavë. Korçarët do të luajnë në fundjavë ndaj Vllaznisë në kampionat, por të mërkurën duhet të jenë në Sarandë për ndeshjen e parë ndaj Butrintit, e vlefshme për Kupën.

Klubi ka bërë të ditur se, për shkak të rëndësisë që shfaq kampionati, është menduar që drejt Sarandës të udhëtojnë pjesa e lojtarëve që ka pasur më pak mundësi aktivizimi dhe 6 lojtarë nga ekipi Under-19, lista e të cilëve do publikohet nesër. Drejtimin e ekipit në këtë takim do ta marrë zv/trajneri Gentjan Liçi.

Ndërkohë, trajneri Andrea Agostinelli ka pasur 3 mungesa të rëndësishme në seancën e parë të javës gjatë ditës së sotme. Marko Radas vijon terapinë riaftësuese pas dëmtimit në kofshë të pësuar ndaj Laçit dhe pritet t’i bashkohet grupit në dy ditët e ardhshme. Nesër me grupin priten të bashkohen dhe Argjend Mustafa dhe Hamdi Salihi. Për Mustafën dita e sotme ishte pushim i detyruar, për shkak të goditjes së marrë ndaj Luftëtarit, Salihi ka pasur 24 orë leje për të pushuar nga klubi.

Ndeshja Skënderbeu-Vllaznia do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Skënderbeu”, ndërsa Butrinti-Skënderbeu të mërkurën në Sarandë.

(Kosova Sot)