Pallatit Olimpik të Kosovës as nuk po i vjen era!

  • 27 September 2016 - 10:31
 Pallatit Olimpik të Kosovës as nuk po i vjen era!

Projekt sportiv i dështuar

Pallati Olimpik ishte paraparë të ndërtohej në lagjen “Prishtina e Re”– zona qendër, me 20 ari tokë, pjesa e kryeqytetit në drejtim të Hajvalisë, kurse mjetet financiare për ndërtimin e tij ishte paraparë të ndaheshin nga MRKS-ja deri në shifrën e 1,5 milion euro. Problemet kanë dalë pas ndarjes së tokës, një pjesë e së cilës është supozuar se është tokë private dhe këtu ka marrë fund pothuajse gjithçka sa i përket këtij projekti në atë lokacion

Objekt që vazhdon t’i mungojë Kosovës

U prezantua me bujë të madhe para dy vjetëve dhe njëkohësisht u premtua se më së largu më 23 qershor 2016 do të përfundojë. Bëhet fjalë për Pallatin Olimpik të Kosovës, të cilit as nuk  po i vjen era se do të nisë këtë vit, e lëre më të përfundojë. Projekti i Ministrisë së Sportit për ndërtimin e një Pallati Olimpik ishte parashikuar si shpëtim për federatat sportive kosovare. Në këtë objekt ishin menduar të vendosen më shumë se 30 federata sportive, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Komiteti Paraolimpik i Kosovës. Hapësira do të ishte e madhe, ku do të kishte edhe salla për konferenca dhe salla për mbledhje, 2.000 metra katrorë nën tokë dhe 5.000 mbi tokë, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Probleme me tokën

Atëbotë ministri i Sportit, Memli Krasniqi pati deklaruar se ky është një objekt që i ka munguar Kosovës, ndërsa pas dy vjetësh vazhdon ende t’i mungojë. Pallati Olimpik ishte paraparë të ndërtohej në lagjen “Prishtina e Re”– zona qendër me 20 ari tokë, pjesa e kryeqytetit në drejtim të Hajvalisë, kurse mjetet financiare për ndërtimin e tij ishte paraparë të ndaheshin nga MRKS-ja deri në shifrën e 1,5 milion euro. “Ka pasur probleme me një pjesë të tokës së ndarë nga Komuna e Prishtinës, pasi  është konstatuar se ajo pjesë e  tokës private. Më pas është menduar të ndërrohet lokacioni, por deri në fund të këtij viti nuk besoj se do të ketë asnjë lëvizje në këtë drejtim”, ka deklaruar Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sporteve të Kosovës. Ndërtesa ishte pritur të ishte shumë moderne. Por, që prej kësaj pune nuk ka asgjë. Federatat kanë mbetur aty ku ishin, në Shtëpinë aktuale të Sportit, ku hapësira është shumë e vogël, ndërsa pothuajse të gjitha federatat tashmë janë ndërkombëtarizuar dhe secila ka nevojë për më shumë staf në administratë, por kjo është gjë që nuk mund të bëhet për shkak të hapësirës së vogël.

Ishte pritur me entuziazëm të madh

Ndërkohë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani është shprehur i zhgënjyer pse ky objekt kaq i rëndësishëm për sportin kosovar ende nuk ka filluar, ndonëse ishte pritur të përfundojë këtë verë. “Ne si KOK jemi informuar se ka pasur probleme me tokën që është ndarë dhe më pas se do të ndërrohet lokacioni. Është për të ardhur keq, sepse ky projekt ishte paraparë të fillonte me entuziazëm të madh, derisa edhe ishte punuar ashtu. Tani duhet të presim edhe për disa vjet të tjera derisa ta kemi një Pallat Olimpik, aty ku të gjitha federatat së bashku me dy Komitetet do ta kishin shtëpinë e tyre. Shpresoj se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt dhe se do të kemi një objekt të gjitha federatat së bashku me Komitetet, sepse tani që jemi ndërkombëtarizuar, secili institucion sportiv ka nevojë për më shumë hapësirë”, ka deklaruar Hasani. Duhet theksuar se ditë më parë numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, si federata më e madhe në vendin tonë, e ka theksuar faktin se nuk po mund të funksionojnë si duhet në katër zyra që i kanë në Shtëpinë e Sportit dhe se kanë nevojë për më shumë hapësirë. Ai në të njëjtën kohë ka shtuar se do të kërkojnë ndihmë dhe zgjidhje nga institucionet lokale dhe ato qendrore. Ndërkaq, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) tash e tre vjet është larguar nga Shtëpia e Sportit për shkak të hapësirës së vogël (dy zyra) dhe se është sponsorizuar nga kompania “Tregtia” që ia ka lëshuar një hapësirë të madhe për të funksionuar ashtu si duhet. 

(Kosova Sot)