Barcelona, me sulmin më të frikshëm në kontinent

  • 27 September 2016 - 10:33
Barcelona, me sulmin më të frikshëm në kontinent

Mesatare e pakrahasueshme, me 3.7 gola për ndeshje

Ndonëse Barça ka hasur jo pak vështirësi në fazën mbrojtëse, falë tredhëmbëshit të frikshëm ka mundur të triumfojë në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Duke bërë një krahasim me klubet e tjera në La Liga, por edhe në kampionatet e tjera evropiane nuk gjen asnjë skuadër me statistika të krahasueshme me ato të katalunasve

Plot 26 herë topin në rrjetë

Sulmi i Barcelona-s mbetet më i frikshmi në Evropë në këtë fillim të edicionit. Ekipi katalunas në ndeshjet e kampionatit dhe në Champions League ka mundur ta dërgojë plot 26 herë topin në rrjetë, me një mesatare të pakrahasueshme 3.7 gola për ndeshje, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Katalunasit s’kanë të ndalur

Lëndimi i Lionel Messi-t, elementit kyç të kampionëve të Spanjës, nuk ndikoi aspak në fuqinë sulmuese të skuadrës në terma numerikë. Në “El Molinon”, kundër Sporting Gijon-it, Barcelona shënoi 5 herë, me Neymar-in e Luis Suarez-in që mbajnë firmën e tre golave. Braziliani realizoi dopietë, ndërsa uruguaiani u mjaftua me një gol. Në ndeshjet zyrtare të këtij edicioni Suarez ka mundur të shënojë 8 gola, kurse Neymar 4. Të dy janë gati për të marrë përgjegjësitë para portës kundërshtare në mungesë të Messi-t, autor i 8 finalizimeve të tjerë. Kjo statistikë është mjaft domethënëse në prag të ndeshjes si mysafir me Borussia Mönchengladbach-un në raundin e dytë të ndeshjeve në Grupe të Champions-it. Ndonëse Barça ka hasur jo pak vështirësi në fazën mbrojtëse, falë tredhëmbëshit të frikshëm ka mundur të triumfojë në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Duke bërë një krahasim me klubet e tjera në La Liga por edhe në kampionatet e tjera evropiane nuk gjen asnjë skuadër me statistika të krahasueshme me ato të katalunasve. Më saktë, vetëm Manchester City, që ndodhet në të njëjtin grup me formacionin e Luis Enrique-s në Champions, u afrohet shifrave të Barçës. Ekipi i Pep Guardiola-s ka shënuar gjithsej 22 gola mes Champions-it dhe Premier League-s. Më të njëjtin numër golash në këtë fillim edicioni po shkëlqen edhe Borussia Dortmund-i, ndërsa Real Madrid-i mbetet pas me 17 finalizime gjithsej, 9 më pak se Barcelona. Nëse do të merren në konsideratë edhe golat e shënuar në Superkupën e Spanjës ndaj Sevilla-s, Barça shkon në 31 gola në ndeshjet zyrtare të 2016/2017.

(Kosova Sot)