Evropa nën shenjën e futbollit!

  • 27 September 2016 - 10:36
Evropa nën shenjën e futbollit!

Situata në kampionatet kryesore

Futbolli evropian la pas një tjetër raund ndeshjesh, ndërsa situata në kampionatet më të rëndësishme të kontinentit të vjetër mbetet interesante. Në Spanjë, Real Madrid-i në vetëm pak ditë kaloi nga situata e sigurisë te dyshimet. “Mbretërit” barazuan ndaj Villarreal-it e Las Palmas-it, e tashmë e shohin veten vetëm një pikë larg Barcelona-s, që shkatërroi Sporting Gijon-in edhe pa Lionel Messin. Nuk lëshoi pè as Atletico Madrid, diferenca e të cilit me rivalët e qytetit është vetëm dy pikë, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

City i pakapshëm në Angli

Në Angli, askush nuk e ndal Manchester City-n. Skuadra e Pep Guardiola-s është e sigurt në krye, me 18 pikë dhe 6 fitore në po kaq ndeshje, duke barazuar rekordin e vendosur nga Carlo Ancelotti në drejtimin e Chelsea-t në edicionin 2009-2010. Ndërsa Manchester United i Jose Mourinho-s është i gjashti, edhe pse fitorja me Leicester City-t duket se e ka qetësuar disi portugezin, aq shumë të kritikuar së fundmi. Në Gjermani, Bayern Munich-u e Borussia Dortmund-i nuk gabuan në ndeshjet e tyre të radhës në kampionat. Të besuarit e Ancelotti-t, ndaj Hamburg-ut treguan se dinë të vuajnë, duke qenë se fitoren e arritën vetëm në minutat e fundit me golin e Joshua Kimmich. Ndërsa Dortmund-i mori një fitore më komode ndaj Freiburg-ut 3:1 dhe Thomas Tuchel mund t’i gëzohet fare mirë Pierre-Emerick Aubameyang-ut, Mario Götze-s apo Emre Mor. Në Francë, Paris Saint Germain gaboi sërish, duke u mposhtur nga Toulouse. Unai Emery po përballet me probleme të shumta, teksa atyre për rezultatet iu bashkohen edhe ato me disa prej futbollistëve si Jese Rodriguez e sidomos Ben Arfa. Nice është ajo që udhëheq “Ligue 1”, ndërkohë që seriozisht e ka marrë edhe Monaco. Në Itali, Juventus-i vijon në rrugën e tij, por edhe Napoli nuk bën shaka. Të besuarit e Massimiliano Allegri-t e morën tripikëshin e radhës ndaj Palermo-s falë një autogoli, ndërkohë që Napoli iu kundërpërgjigj me Manolo Gabbiadini e Marek Hamsik. Torino i bëri nder skuadrës rivale të qytetit, teksa gjunjëzoi Roma-n 3:1.

(Kosova Sot)