Spektakli në Dortmund

  • 27 September 2016 - 10:39
Spektakli në Dortmund

Sonte zhvillohen ndeshjet e dyta në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve

Mbrëmja e së martës pritet me kureshtje, pasi sjell disa ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve,  megjithatë spektakli pritet të ndodhë në Dortmund, ku skuadra shumë në formë, Borussia Dortmund, e pret kampionin aktual të kësaj gare, Real Madrid-in

Juventus kërkon këndelljen në Zagreb

Me ndeshjet që zhvillohen sonte, nis rundi i dytë i fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Pa dyshim se mbrëmja e së martës pritet me kureshtje, pasi sjell disa ballafaqime tejet interesante, megjithatë spektakli pritet të ndodhë në Dortmund, ku skuadra shumë në formë, Borussia Dortmund,  e pret kampionin aktual të kësaj gare, Real Madrid-in. Skuadra e Zinedine Zidane-s drejt Gjermanisë udhëton e dëshpëruar, pas dy barazimeve të njëpasnjëshme në La Liga, gjë e cila edhe solli paksa tension në radhët madrilene. Se a do të kenë ndikim te Real-i ato dy dështime, apo gjithçka do të kthehet në vendin e vet, mbetet të shihet, edhe pse e sigurt është se nëse kampionët e Evropës dëshirojnë fitore duhet të derdhin shumë djersë. Para ndeshjes në kampin madrilene dolën disa shkëndija pakënaqësie, të cilat lidhen me Zidane-n dhe Ronaldo-n, kjo pas zëvendësimit në ndeshjen kundër Las Palma-s, megjithatë kampi madrilen mohon këto gjëra, duke thënë se gjithçka është në rregull dhe se kjo do të shihet në sfidën e sotme, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Joshëse edhe Dinamo–Juventus

Edhe pse në nivel jo shumë të ngjashëm, gjithsesi përballja ndërmjet Dinamo Zagreb dhe Juventus-it cilësohet si një sfidë shumë joshëse. Juventus-i nuk e ka nisur aspak mirë këtë garë, pasi barazoi në fushën e vet me Sevilla-n, kështu që këtë sfidë gjithsesi duhet ta fitojë për ta bërë më të lehtë kualifikimin, ndryshe çdo rezultat tjetër do të bënte që italianët të luftojnë shumë nëse dëshirojnë kualifikimin tutje. Në anën tjetër, edhe Dinamo nuk e ka nisur aspak mirë Ligën e Kampionëve, pasi u mposht bindshëm nga Lyon-i, skuadër kjo e cila sonte udhëton  në Spanjë për t’u ndeshur me Sevilla-n dhe një rezultat i favorshëm do t’i afronte francezët shumë afër objektivit, pra kalimin në fazën e eliminimit direkt. Kampionët e Anglisë, Leicester, derisa nuk po shkëlqejnë në kampionat, aventurën evropiane e kanë nisur mirë, duke triumfuar ndaj danezëve të Koebenhavn-in, ndërsa sonte ndeshen me portugezët e Porto-s, një sfidë kjo e vështirë për t’u deshifruar.

Liga e Kampionëve

Sot

Grupi E

20:45 CSKA M. - Tottenham

20:45 Monaco - Leverkusen

Grupi F

20:45 Dortmund - Real Madrid

20:45 Sporting – Legia

Grupi G

20:45 Koebenhavn - Club Brugge

20:45 Leicester - Porto

Grupi H

20:45 Dinamo Z. - Juventus

20:45 Sevilla -  Lyon

(Kosova Sot)