Paqe në "Signal Iduna Park"

  • 28 September 2016 - 10:15
Paqe në

REAL MADRID-I NUK NXORI MË SHUMË SE NJË BARAZIM NË PËRBALLJE ME BORUSSIA DORTMUND-IN

Përsosmëri e "Zonjës së Vjetër" në Kroaci 

Borussia Dortmund-i dhe Real Madrid-i kanë barazuar me shifrat 2:2 në ndeshjen e dytë të Grupit F në Ligën e Kampionëve. Cristiano Ronaldo shënoi i pari në ndeshje në minutën e 17-të, duke u dhënë kështu epërsinë madrilenëve. Në fund të pjesës së parë, PierreEmerick Aubameyang barazoi gjithçka në 1:1. Raphael Varane në minutën e 68-të ktheu epërsinë e "Mbretërve", ndërsa Andre Schurrle në minutën e 87-të shënoi për rezultatin 2:2. Dy ekipet prijnë në Grupin F me nga 4 pikë, ndërsa pas tyre vjen Sporting-u me 3. Në fund mbetet Legia pa pikë, transmeton gazeta Kosova Sot.

Shpërthen Juventus-i

Pas barazimit pa gola me Sevilla-n në ndeshjen e parë, Juventus-i ka shijuar fitore bindëse ndaj Dinamo Zagrebit në Kroaci. "Zonja e Vjetër" triumfoi 4:0 si mysafire e kroatëve. Miralem Pjaniq shënoi golin e parë në minutën e 24-t, ndërsa Gonzalo Higuain e dyfishoi epërsinë shtatë minuta më vonë. Paulo Dybala në minutën e 57-të vulosi fitoren e kampionit italian, ndërsa "pokeri" u kompletua nga autogoli i Semperi-t. Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Sevilla mposhti Lyon-in 1:0. Juventus-i dhe Sevilla prijnë këtë grup me nga 4 pikë, një më shumë se Lyon-i, ndërsa kroatët janë ende pa pikë.

Atletico-Bayern, sfidë edhe ndërmjet Griezmann-it e Neuer-it

Edicioni i ri i Ligës së Kampionëve ka rezervuar sërish sfidën mes Atletico Madrid dhe Bayern Munich, vetëm se këtë radhë kjo përballje është e vlefshme për fazën e grupeve të këtij aktiviteti. Këtë ndeshje do ta përjetojnë në mënyrë të veçantë Manuel Neuer dhe Antoine Griezmann. Portieri i Bayern-it dhe përfaqësueses gjermane nuk ka kujtime të mira nga sfidat e fundit me sulmuesin francez të Atletico-s, i cili ka mundur ta ndëshkojë 3 herë Neuerin. Griezmann fillimisht e mposhti Neuerin në sfidën e "Alianz Arena"- s në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve me Bayern-in që fitoi 2:1, por që pa Atletico-n te shkojë në finale pas fitores në "Vicente Calderon" me 1:0. Më pas Griezmann dhe Neuer u vunë përballë në gjysmëfinalen e Evropianit të Francës, ku edhe këtë radhë ai që mori maksimumin ishte pikërisht sulmuesi. Griezmann shënoi 2 gola në këtë përballje, një nga të cilat nga pika e bardhë e 11 metërshit. Si do të shkojë dueli i radhës, kjo mbetet vetëm për t'u parë, por Neuer do të kërkojë të shndërrohet një mur për Griezmann-in, ndërsa ky i fundit dëshiron të kthehet në një makth për portierin gjerman.

(Kosova Sot)