T'i mbajnë, apo mos t'i mbajnë kuvendet zgjedhore ?!

  • 29 September 2016 - 08:30
T'i mbajnë, apo mos t'i mbajnë kuvendet zgjedhore ?!

Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut mbahet më 9 dhjetor në Prishtinë.

"Tani po del se cikli olimpik është kur përfundojnë Lojërat Olimpike. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me Olimpiadën. Po ta kishim një ligj për sport këto gjëra do të ishin shumë të qarta, por ja që nuk e kemi dhe secili institucion i sportit del me vendime të veta dhe askush nuk e di se cila është e drejta dhe ajo që duhet të bëhet me të vërtetë", është shprehur Ismet Jupa, ish-trajner i hendbollit.

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) tashmë i ka shpallur zgjedhjet në Lëvizjen Olimpike të Kosovës. Kjo nënkupton hapjen e procesit zgjedhor në federata dhe Komitet Olimpik për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese. Federatat duhet të kenë përfunduar në tërësi procesin zgjedhor deri më 8 nëntor 2016. Ndërkaq, Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e KOK-ut do të mbahet më 9 dhjetor 2016 në Prishtinë. Megjithatë, ka prej atyre federatave që tashmë i kanë mbajtur Kuvendet Zgjedhore, ndërsa ka të tjera që do ta respektojnë vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, ndërsa ka edhe prej atyre që mendojnë se federatat nuk duhet ta përfillin vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut. 

Basketbolli e ka kryer procesin zgjedhor Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është njëra prej disa federatave që tashmë e ka kryer procesin zgjedhor, ndërsa në Kuvend kanë qenë të pranishëm zyrtarë të lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës, të Departamentit të Sporteve të Kosovës dhe Ministrisë së Sporteve, ashtu edhe siç kërkohet me rregulla të tria institucioneve. "Federatat Sportive në Kosovë licencohen për çdo cikël olimpik. Kështu ka ndodhur edhe këtë vit ku nga 1 janari 2016 e deri më 31 dhjetor 2020 ne si federatë jemi licencuar në Ministrinë e Sportit. Dhe prej momentit kur fillon cikli olimpik, pra prej momentit kur hyn në fuqi licencimi, federata ka të drejtë të organizojë Kuvendin Zgjedhor. Kështu kemi vepruar edhe ne. Ne kemi pasur bazë ligjore tëfuqishme për ta bërë një gjë të tillë, e kemi studiuar këtë rast dhe më pas e kemi organizuar Kuvendin Zgjedhor para procesit të fillimit të pjesëmarrjes në Kampionate Evropiane, ku të gjithë e dimë se të shkosh me 6 Përfaqësuese në gara të nivelit të tillë çfarë pune e madhe të pret. E ne kemi dashur që ta kryejmë procesin zgjedhor dhe më pas të fokusohemi në tërësi në përgatitjet tona për gara të FIBA-s", ka deklaruar Leart Hoxha, anëtar i Bordit të FBK-së.

Hendbolli do ta respektojë vendimin e KOK-ut Ndërkaq, Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), ka thënë se ata do ta respektojnë vendimin e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës. "Sigurisht se do ta përfundojmë procesin zgjedhor në federatë deri në datën e kërkuar nga KOK-u. Nuk ka arsye pse të mos e bëjmë një gjë të tillë. Ne edhe ashtu në këtë kohë e kemi pasur në program të federatës që ta organizojmë. Shumë shpejt Bordi i FHK-së do të vendosë për datën dhe më pas do ta bëjmë publike. Kemi kohë të mjaftueshme të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme", është shprehur Gjinovci. Në anën tjetër, njohësi i mirë i sportit, Ismet Jupa, ish-trajner i hendbollit, mendon se federatat nuk duhet të respektojnë vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut. "Edhe para dy viteve është thënë se ky është cikël olimpik e duhet të mbahen Kuvendet Zgjedhore, edhe pse atëbotë KOKu nuk ka qenë i pranuar ndërkombëtarisht. Tani po del se cikli olimpik është kur përfundojnë Lojërat Olimpike. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me Olimpiadë. Po ta kishim një ligj për sport këto gjëra do të ishin shumë të qarta, por ja që nuk e kemi dhe secili institucion i sportit del me vendime të veta dhe askush nuk e di se cila është e drejta dhe ajo që duhet të bëhet me të vërtetë. Federatat Sportive që tashmë i kanë mbajtur Kuvendet Zgjedhore e kanë kryer procesin e tyre dhe nuk kanë më për çfarë të mërziten. E vendimin që e ka marrë Bordi Ekzekutiv i KOK-ut le ta respektojnë ata që duan dhe që mendojnë se duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk ka bazë ligjore që KOK-u mund ti detyroj federatat të mbajnë Kuvende Zgjedhore, kjo është më se e qartë", ka theksuar Jupa. 

(Kosova Sot)