Olimpiada e Tokios mund të kushtojë mbi 26.7 miliardë euro

  • 29 September 2016 - 13:49
Olimpiada e Tokios mund të kushtojë mbi 26.7 miliardë euro

Komisioni kompetent i formuar nga Drejtoria e qytetit të Tokios ka paralajmëruar se shpenzimet e përgjithshme për organizimin e Lojërave Olimpike në Tokio 2020 mund të arrijnë në mbi 26.7 miliardë euro.

Të enjten, Komisioni theksoi se shpenzimet e mëdha reflektojnë mungesën e lidershipit, menaxhimit dhe vetëdijes për kontrollin e shpenzimeve.

Komisioni, në krye të të cilit qëndron një profesor nga universiteti Keio, është formuar nga kryebashkiakja e sapozgjedhur e Tokios, Yuriko Koike, pas shfaqjes së brengës lidhur me vlerësimin e shpenzimeve të cilat do të mund të shndërrohen në një barrë të madhe për qytetin dhe tatimpaguesit e tij.

Në raport është nënvizuar propozimi që tre nga shtatë arenat sportive të cilat planifikohen të ndërtohen në Tokio, të ndërtohen duke përdorur lokacionet e tanishme dhe jo të ndërtohen objekte të reja të cilat pas Olimpiadës do të ishin të padobishme.

(Kosova Sot)